Personat e kthyer nga Italia e Greqia, nga data 26 shkurt e në vazhdim, morën paralajmërimin e parë nga Qeveria që të vetëkarantinoheshin, në të kundërt do të gjobiteshin me 5 mijë euro.

Ata ishin të parët që u përballën me kontrollet e Policisë dhe të Ushtrisë, ku përmes një tableti, që prej natës së parë u verifikuan mbi 100 persona, të cilët morën urdhër të vetëkarantinoheshin. Masat kanë vijuar edhe pas këtij verifikimi.

Shërbimet e Policisë, që tashmë kanë identifikuar përmes sistemit TIMS të gjithë personat që kanë mbërritur gjatë kësaj periudhe nga Italia e Greqia, kanë nisur të telefonojnë këta persona dhe t’i këshillojnë që të mos dalin nga shtëpia.

Nga ana tjetër, duke qenë Policia ka në sistem edhe adresat e tyre të banimit, është vendosur që zonat ku ata jetojnë të patrullohen vazhdimisht. Ky lloj monitorimi besohet se do i bindë edhe më shumë këta persona që të mos dalin nga shtëpitë e tyre për një periudhë 2-javore, që nga momenti i hyrjes në territorin e Shqipërisë.

Në të kundërt, atyre u është bërë e qartë se do të gjobiten dhe nuk do të lejohen të largohen më jashtë vendit pa paguar gjobën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re