Në përvjetorin e radhës së çlirimit të Kosovës, i 23-ti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidentja Osmani u shpreh se ish-presidenti Rugova është arkitekt i pavarësisë, i cili ndërtoi ura miqësie që edhe sot i shërbejnë Kosovës.

“Këtë ditë e cila simbolizon shumëçka për të gjithë qytetarët tanë, gjithë popullin e Kosovës që për dekada të tëra ishte i shtypur nga regjimi i Millosheviçit, më 12 qershor të gjitha forcat serbe u larguan nga Kosova pas krimeve të llahtarshme që kishin kryer ndaj popullatës civile në Kosovë dhe në Kosovë hynë forcat e NATO-së”, tha Osmani, e njohur si rugoviste në politikë, ardhur nga LDK-ja.

Ndëra kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk e harrojnë të kaluarën dhe se angazhohen për drejtësi për viktimat, dëmet dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.

“Nuk e harrojmë kurrë të kaluarën, do të insistojmë dhe do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha dëmet, e vuajtjet që na u kanë shkaktuar dhe në këtë mënyrë bashkë me popullin e Kosovës që është i jashtëzakonshëm e kemi të sigurt dhe shumë më të mirë të ardhmen përpara”.

Kujtojmë se me 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë e mbetur, trupat e Aleancës hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re