Në përvjetorin e 32-të të Partisë Socialiste, kreu i kësaj force politike ka me çfarë të krenohet, ndaj fjalimi i tij u përqendrua në rezultatin e zgjedhjeve lokale të 14 majit, ndryshe fitorja e tetë përballë opozitës.
Kryesocialisti Edi Rama duke nënvizuar triumfet e Partisë Socialiste nën drejtimin e tij, nuk harroi të thumbonte kundërshtarët. Për këta të fundit, Rama shprehet se sa herë ka zgjedhje flejnë me betimin se do e përmbysin, por zgjohen të përmbysur.
“Për herën e tetë në nëntë beteja të këtyre viteve, ata u përbetuan para pasqyrës së mbrëmjes për përmbysjen e madhe të regjimit antipopullor dhe për të tetën herë rresht e nisën mëngjesin tjetër përmbys, mbi pasqyrën e disfatës së refuzimit popullor”, tha Rama.
Rama u ndal të falenderonte dhe rifalenderonte bashkëpunëtorët e tij të pushtetit lokal dhe jo vetëm, teksa shton se turi i falenderimeve është pak për mirënjohjen që ndjen ndaj atyre që i besuan votën në rezultatin historik të 14 majit.