Ish-deputetët e Partisë Demokratike që refuzuan djegien e mandatit apo ata individë që u futën në Kuvend nga lista, janë të përjashtuar që të jenë pjesë e procesit të hapur për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie. Por krahas kësaj, sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, thotë se dera e hapur është për çdo ish-zyrtar, qofshin dhe kritikët e Bashës.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie do ti shërbejë  Partisë Demokratike, për hapje ndaj gjithë faktorëve që ndikojnë në maksimalizimin e votës dhe përfaqësimit ndaj qytetarëve. Gazmend Bardhi, në një intervistë për Rtv Ora, thotë se ky proces nuk paragjykon as kritikët e Lulzim Bashës.

“Në Partinë Demokratike nuk ka asnjë të larguar. Sigurisht që është një proces që me vite ndodh që një drejtues i lartë i partisë, funksionar i lartë, deputet apo kryetar bashkie në një moment të caktuar të humbë të drejtën apo mundësinë që të jetë përfaqësues i demokratëve në këto pozicione. Por humbja e mundësisë për të përfaqësuar demokratët në një pozicion të caktuar nuk do të duhet të shoqërohet apo të nënkuptojë largimin e këtij personaliteti apo të kësaj figure nga partia”, shprehet Gazment Bardhi.

Përjashtim këtu bëjnë vetëm ata individ që janë përjashtuar për shkelje të rënda statutore, e këtu përfshihen të gjithë emrat që pranuan apo refuzuan të digjnin mandatin.

“Asnjë person që ka qenë anëtar i PD-së dhe është larguar me masë disiplinore për thyerje të rëndë të statutit të partisë nuk mund të bëhet pjesë e këtij procesi”, theksoi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së do të koordinojë procesin për qarkun e Shkodrës. Por çfarë do të ndodhë në qoftë se anëtarësia propozon Jozefina Topallin, një ndër kritikët më të forta të Lulzim Bashës?

“Çdo propozim i bërë nga anëtarët do të merret, do të shqyrtohet pa asnjë paragjykim”, theksoi Gazment Bardhi.

Në selinë blu do të ngrihet një Komision i filtrimit të kandidatëve. Për ti bërë pjesë të këtij organi, Lulzim Basha ka zhvilluar një seri takimesh me personalitete nga fusha të ndryshme, përfshirë edhe kritikun e tij Genc Ruli.

“Janë kontaktuar disa personalitete apo figura politike apo publike dhe do të jetë në vendimmarrjen e kryesisë së partisë për caktimin e emrave konkretë që do të jenë në përbërje të këtij komisioni dhe komisionit zgjedhor”, deklaron Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të zgjasë deri më 30 shtator, ndërsa brenda pak ditësh pritet që Basha të delegojë edhe drejtuesit e qarqeve, duke nisur në këtë mënyrë fushatën elektorale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re