Home Kuriozitete Pesë arsyet më të mira për t’i dërguar fëmijët në kamping

Pesë arsyet më të mira për t’i dërguar fëmijët në kamping

0

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Pushime – Emocioni për të fjetur nën tendë dhe jo vetëm … Pushimet në kontakt të ngushtë me natyrën i argëtojnë fëmijët e madje i bëjnë ata që të rriten më shumë …Ideja e fëmijëve në kamping, në mes të natyrës dhe të privuar nga komoditetet e zakonshme, i tremb shumë prindërit, të cilët shqetësohen jashtëzakonisht për ta. Por në fakt bëhet fjalë për një lloj mënyre pushimi për t’u vlerësuar dhe për t’u promovuar, sepse kontribuon në zhvillimin e disa aftësive shumë të rëndësishme te fëmijët, ku ndër të tjera spikasin autonomia, kreativiteti dhe respekti për natyrën.

Arritja e autonomisë
Kampingu është një “burim i mirë” për fëmijët, sepse ai u jep atyre mundësinë për të arritur pavarësinë në mënyrë të paimagjinueshme në të mirë të vetëbesimit, gjë e cila do t’i ndihmonte të përballonin edhe sfida të tjera të jetës. Montimi i tendave, orientimi në një pyll, plazh apo gatimi i drekës, janë aftësi të cilat nuk mund të eksperimentohen në jetën e përditshme në qytet.
Ndjenja e bashkëpunimit
Një tjetër arsye e mirë për t’i dërguar fëmijët në kamping është bashkëpunimi i veçantë që lind mes të gjithë fëmijëve. Ky aspekt është një stimul ideal, sidomos për fëmijët e vetëm, të cilët janë mësuar të shoqërohen me të tjerët vetëm në ambientet e shkollës apo në festa dhe jo në përditshmërinë e shtëpisë. Pra, këto lloj pushimesh i vendosin fëmijët në provë nëpërmjet përditshmërisë në natyrë, duke nisur që nga lojërat e deri tek objektet e përdorimit të zakonshëm.
Vlera e miqësisë
Kur të gjithë fëmijët zgjohen së bashku, ata luajnë dhe jetojnë aventura unike në mes të natyrës e kështu miqësia mes tyre shprehet në mënyrën më të mirë. Kjo gjë ata i ndihmon, i emocionon dhe i bën të ndajnë eksperienca dhe dëshpërime të vogla. Por, mbi të gjitha, në kamping ata mësojnë të jetojnë diversitetin si një lloj mundësie për t’u rritur e për t’u bërë njerëz më të mirë. Mund të zmbrapsin ose të parandalojnë mosbesimin tipik gjatë moshës së rritur, i cili mund t’i çojë drejt një zhvillimi të rrezikshëm problematik individual, por edhe shoqëror. Pra, racizmi dhe intoleranca nuk do të jenë pjesë e karakterit dhe e personalitetit të tyre në të ardhmen. Lumturia arrihet edhe duke i mësuar fëmijët të jetojnë së bashku në një “ylber” të mrekullueshëm dallimesh.
Respektimi i rregullave
Kampingu kërkon që të respektohen disa rregulla të rëndësishme të jetës së përbashkët. Për shembull, fëmijët duhet të lëvizin së bashku e të mos lënë asnjë shok apo shoqe prapa (mësim i mirë edhe për jetën e ardhshme), duhet të ushqehen përnjëherësh e të ndajnë detyra të ndryshme në dobi të jetës së përbashkët. Rregullat e përfituara në këtë mënyrë, arrijnë të depërtojnë më shpejt te fëmijët.
Dashuria për natyrën
Fjetja në pyll, shëtitja nëpër vende të paeksploruara më parë, parja e shumë kafshëve dhe bimëve … të gjitha këto emocione jo vetëm që stimulojnë kreativitetin dhe fantazinë e fëmijëve, por i bëjnë ata ta duan natyrën dhe ta respektojnë atë.
Kampingu
Kampingu është një mënyrë për të kaluar pushime në ajër të pastër apo jashtë në natyrë, duke qëndruar në strehimore të përkohshme apo të përhershme, që mund të jetë një tendë, rulotë apo karvan, të parkuara lirë ose në zona të përcaktuara të quajtura kampe. Kampingu paraqet një formë alternative të turizmit tradicional dhe njerëzit që e përkrahin një formë të tillë, janë të shumtë nëpër botë. Kjo mënyrë pushimesh këto vitet e fundit po gjen zbatim edhe në vendin tonë. Kampingu organizohet si nga ana e shkollave, kryesisht private, ashtu edhe nga grupe apo shoqata, të cilat merren posaçërisht me këtë gjë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë