Pesë të dërguarit ndërkombëtarë, të udhëhequr nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndodhen në Kosovë, ku u takuan me kryeministrin Albin Kurti, të cilët do ta vizitojnë dhe Beogradin ku do të takohen e bisedojnë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Lajçak ka thënë se takimi me Kurtin nuk ka qenë i lehtë dhe se prej tij ka pritur më shumë mirëkuptim për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Qëllimi i takimit me Kurtin ka qenë propozimi ynë për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e kemi paraqitur në shtator dhe më pas në dhjetor. Kaluam më shumë se dy orë, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur. Është ende herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse siç e dini ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të udhëtojmë edhe në Beograd”, tha Lajçak.

Gatishmëria për kompromis

Qëllimi i vizitës së ekipit të diplomatëve amerikano-evropian është përgatitja e raundit të ardhshëm të dialogut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Në delegacion janë edhe diplomatë gjermanë, francezë dhe italianë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se të dyja palët duhet të tregojnë një gatishmëri për kompromis dhe se një marrëveshje përfundimtare do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re