Skip to content

Pesë ditë pas arrestimit për drogë, 66-vjeçarit i gjendet edhe arsenal armësh në bodrumin e shtëpisë

Një 66-vjeçar që ishte arrestuar pesë ditë më parë gjatë një aksioni antidrogë, do të ketë mbi shpinë edhe një akuzë të dytë, pasi në banesë i është zbuluar gjatë kontrollit të dytë një arsenal armatimi.

Armët dhe municionet ishin fshehur mirë në bodrum, aq sa i shpëtuan kontrollit të parë të policisë, por duket se informacionet e reja çuan efektivët në një mësymje të dytë në Malësinë e Madhe.

Burime zyrtare konfirmuan se gjetën në banesën e 66-vjeçarit P. Ç., një armë pistoletë, pjesë të armëve të tjera të zjarrit dhe të gjahut, si dhe municion luftarak, që mbaheshin pa leje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, bazuar në informacione të siguruara nga një hetim në vijim, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit P. Ç., 66 vjeç, i arrestuar më datë 6 shtator 2025, për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”. Gjatë kontrollit, janë gjetur të fshehura në bodrumin e banesës dhe janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, pjesë armësh zjarri dhe armësh gjahu dhe municion luftarak”, bëri me dije policia vendore.

Pas këtij zbulimi, hetimet i kaluan Prokurorisë së Rrethit, për të bashkuar veprimet hetimore.