Gjashtë ditë përpara mbylljes së afatit për të aplikuar, mësohet se janë 5 kandidatë për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ibrahim Disha, Artan Shkëmbi, Gjovalin Ulndreaj, Sabri Hoxha dhe Adriatik Ago.
Kreu i SPAK, Arben Kraja pas publikimit të emrave i ka bërë thirrje që të vijojnë aplikimet për këtë post të rëndësishëm që cilësohet edhe si FBI-ja shqiptare.
“Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për pozicionin e lirë të punës për drejtorin e BKH-së është një mundësi e shkëlqyer për t’u përzgjedhur për të drejtuar një grup të madh hetuesish të BKH-së, të cilët do të mbështesin Prokurorët e Posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
SPAK kërkon një kandidat ose kandidate që demonstron lidership, integritet dhe profesionalizëm. Në qoftë se ju mendoni që i plotësoni kërkesat e këtij pozicioni sfidues dhe kriteret në lidhje me përvojën në punë, arsimin dhe keni një figurë të pastër, aplikoni para datës 30 janar 2020”, deklaron Kraja.
Në listën e emrave të bie në sy emrii i Adriatik Agos, i cili është numri dy i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ago kaloi disa ditë më parë procesin e Vettingut në polic. Trupa e Komisionit theksoi se nga të dhënat që ka mbledhur, Ago ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime që e justifikojnë.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ngritur Komisionin e Vlerësimit, që do të vlerësojë aplikantët që do të jenë pjesë e garës për Kryetarin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Burime zyrtare kanë bërë të ditur se komisioni i ngritur përbëhet nga tre anëtarë, Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, që pritet të mbajë dhe rolin e kryetarit të komisionit, si edhe dy prokurorë të tjerë të SPAK, Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra.
Me datën 10 janar të 2020 u hap gara për për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ka qenë Kryetari i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja i cili ka njoftuar hapjen e garës për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për të aplikuar për kreun e Byrosë ka bërë thirrje edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e BKH-së dhe mbikqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.
Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kandidatët
Ibrahim Disha
Artan Shkëmbi
Gjovalin Ulndreaj
Adriatik Ago
Sabri Hoxha