Deputeti i PD, Luan Baçi ka reaguar pas protestës së fermerëve në Levan të Fierit, kundër monopolit të fabrikave të qumështit dhe uljen e çmimit të produkteve të tyre. Pas përfundimit të kësaj protestë, policia arrestoi 5 fermerë, ndërsa Baçi denoncon se ata janë shoqëruar në mënyrë të dhunshme.

Deputeti demokrat akuzon qeverinë se lë të lirë mafiozet dhe arreston blegtorët. Ai garantoi fermerët e të gjithë Shqipërisë se do të kenë mbështetjen e pakursyer të PD.

“Pesë fermerë që kanë protestuar sot në Levan te Fierit kundër monopolit të fabrikave të qumështit dhe uljen e çmimit të produkteve të tyre janë arrestuar.

Alket Çobo, Ervin Resuli e protestues të tjerë, janë shoqëruar në mënyrë te dhunshme nga banesat e tyre 3 orë pas përfundimit te protestës.

Ky është akti i radhës që qeveria e Edi Ramës bën kundër shqiptarëve që dalin në rrugë për të mbrojtur të drejtat, dinjitetin dhe bukën e përditshme të fëmijëve.

Blegtorët, nga Fieri, Vlora dhe nga gjithë Shqipëria i sigurojmë për mbështetjen e pakursyer të Partisë Demokratike.

Protesta e blegtorëve nuk është shfaqje nga ato që bën qeveria, por klithmë nevoje. Është nxitur nga ulja drastike e çmimeve të qumështit nga fabrikat përpunuese, nga 180 lekë për litër vjet, në vetëm 120 lekë për litër sot. Kjo ka sjellë një krizë mbijetese për blegtoret, duke i detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset ose të therin tufat.

Blegtorët kanë paralajmëruar për intensifikimin e protestave, përfshirë bllokimin e rrugëve dhe refuzimin demonstrativ të dorëzimit të qumështit”, tha Baçi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re