Gjermania, Franca, Britania, Italia dhe Spanja kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e ndërtesave të banimit në vendbanimet kolone ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga pesë vendet, thuhet se zgjerimi i vendbanimeve kolone nga ana e Izraelit shkel ligjin ndërkombëtar.

Në deklaratë po ashtu thuhet se ky qëndrim i Izraelit rrezikon tutje arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës dhe zgjidhjen dyshtetërore.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e më shumë se 4.900 njësive të banimit në vendbanimet kolone në Bregun Perëndimor. Në sfondin e zhvillimeve pozitive që rezultojnë nga marrëveshjet e normalizimit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, ky është një hap kundërproduktiv”, thuhet në deklaratën e pesë vendeve evropiane.

Deklarata thekson se ky veprim i Izraelit gjithashtu minon përpjekjet për ndërtimin e besimit midis palëve për të rifilluar dialogun me Palestinën.

“Prandaj, ne bëjmë thirrje që t’i jepet fund menjëherë ndërtimit të vendbanimeve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor dhe evakuimit dhe shkatërrimit të strukturave palestineze”, thuhet më tej.

Pesë vendet kërkuan respektimin e plotë të rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nënvizuan se çdo ndryshim në kufijt e 4 qershorit të vitit 1967 do të njihet vetëm në rast të pranimit nga palët.

“Planet e aneksimit të territoreve të pushtuara palestineze duhet të pezullohen përgjithmonë. I ftojmë të dy palët që të mos ndërmarrin hapa të njëanshëm, por të angazhohen në dialog serioz dhe negociata të drejtpërdrejta për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me statusin përfundimtar”, thuhet në deklaratë.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re