BERAT

Zbardhen 5 raste të vjedhjes në automjete dhe në banesa të ndryshme, në qytetin e Beratit. Vihet në pranga një 30-vjeçar, autor i dyshuar i këtyre vjedhjeve.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim Maradona Hodo, 30 vjeç, banues në Berat.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 30-vjeçari, gjatë periudhës korrik-shtator 2023, ka vjedhur sende personale, sende me vlerë dhe pajisje të ndryshme, në disa banesa dhe automjete.

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhjet e tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.