Skip to content

Peshkarexha goditet nga trageti, shpëtohen tre peshkatarët e mbetur në det të hapur

Tre peshkatarë janë shpëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi kishin mbetur në det të hapur. Kjo për shkak se mjeti me të cilin lundronin u dëmtua si pasojë e goditjes së një trageti të linjës së Barit në brigjet e Durrësit. Peshkatarët e mbetur në det ishin Klajdi Kapxhiu, Selim Agasi dhe Muhamed, një shtetas egjiptian.

Ata janë nxjerrë në breg nga forcat e policisë detare dhe raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Siç njofton policia, ,jeti lundrues i policisë kufitare të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha ishte fundosur në det.

WhatsApp Image 2023 05 10 at 8.24.29 AM

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare e portit të Durrësit shpëton 3 shtetas që lundronin me një peshkarexhë me konstrukt druri, dhe rrezikonin të mbyteshin, pasi peshkarexha iu fundos në det.

Rreth orës 00:05, QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të portit të Durrësit, se 3 shtetas që ndodheshin në një motopeshkarexhë, kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të mbyteshin në det.

Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.

Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.

Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.