SPAK nuk ka arritur akoma të përmbushë pritshmëritë e publikut për vënien para drejtësisë të zyrtarë të korruptuar. Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, është optimist dhe thotë për Ora News se SPAK nuk ka asnjë arsye të mos japë rezultate pasi u janë dhënë të gjitha garancitë e duhura.

Ibrahimi: Publiku, klasa politike, shoqëria civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të duhet të vazhdojnë këmbënguljen që SPAK të japë rezultate që ne të gjithë presim. Jam i bindur që SPAK do të japë rezultatet. Është ende në proces të plotësimit. Nuk shikoj asnjë arsye që të mos japë rezultate. Në fund të 2020 SPAK do të raportojë publikisht para KLP për ecurinë e punës në 2020, para Kuvendit dhe opinionit. Pavarësisht vonesës në realizimin e këtyre detyrave nga ana e Këshillit dhe Kuvendit, SPAK do të duhet të justifikojë besimin dhe investimin. Këtyre njerëzve u kemi dhënë garancitë e qëndrimit në detyrë, një prokuror i SPAK është i patundshëm. Është emëruar atje për 9 vjet dhe askush nuk është në gjendje ta largojë në një destinacion tjetër. Së shpejti një prokuror i SPAK do të jetë në gjendje të çojë në shtëpi 3 milion lekë të vjetra pagë në muaj.

Problemi kryesor për këtë strukturë mbetet mosplotësimi i organikës dhe për këtë ai e drejton gishtin drejt institucioneve të vettingut duke i apeluar të bëjnë diferencime.

Ibrahimi: Si shoqëri ende nuk kemi larë duart me SPAK, ende nuk kemi përmbushur detyrimet tona. Organika e SPAK prej 15 prokurorësh ende nuk është plotësuar, ka vetëm 9 prokurorë. Kush e ka fajin? Për këtë e ka fajin sistemi i vettingut që merr më shumë kohë se e kishim imagjinuar dhe nuk është në gjendje të prioritizojë.Kam qenë i mendimit që kur vjen fjala për kandidatët në SPAK, Kushtetuese, vettingu do të duhet të gjente një mënyrë për të përshpejtuar produklin e punës së vet, ata nuk ja kanë dalë dhe mesa duket nuk do t’ja dalin deri në fund. Kemi bërë shumçka, por jo gjithçka. Pas datës 21 ne do të kemi 15 prokurorë në SPAK. Tre prokurorët e tjerë janë ende në proces vettingu. Njëri e ka kaluar shkallën e parë. Ju bëj thirrje organeve të vettingut që të gjejnë patjetër mundësinë për të diferencuar dhe prioritizuar raste si prokurorët e SPAK.

I pyetur mbi pin-pongun me dosjen “184”, kreu i KLP thotë se nuk ka dijeni.

Ibrahimi: KLP është institucion që vepron në prapavijë të prokurorisë. Unë nuk kam asnjë cilësi juridike dhe asnjë dijeni për asnjë çështje penale që është në hetim, është kompetencë e prokurorëve.

Ndërsa për çështjen e tenderave sekretë të pandemisë, ai thotë se pavarësisht pritshmërive asnjë çështje nuk duhet përshpejtuar në kurriz të cilësisë.

Ibrahimi: SPAK funksionon prej më pak se 6 muajsh, nuk janë as shumë dhe as pak. SPAK e ndjen gjithë presionin për të dhënë rezultate por nuk duhet të përshpejtohen në kurriz të cilësisë. SPAK është ende në periudhë prove dhe gëzon ende mbështetjen e publikut, padyshim të KLP.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re