Një ditë më parë institucioni monetar njoftoi për pezullim tre mujor të kësteve të kredive nga ana huamarrësve në të gjithë sistemin bankar dhe atë jo bankar.
Por si ta kuptojmë këtë vendimmarrje?
Duke ju referuar njoftimit, ky moratorium tre mujor nënkupton që në rast se kredimarrësi nuk paguan në afat këstin, ai nuk do të penalizohet. Kjo masë vjen në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19, ku thuajse i gjithë aktiviteti ekonomik është pezulluar.
Ndaj shumë qytetarë mund të mos kenë mundësi pagese në kohë. Por Banka e Shqipërisë pritet të zbardhë detajimet se si do të veprohet më tej.
Sipas bankierëve me normalizmin e situatës, çdo kredimarrës do të duhet të bëjë një marrëveshje me bankën, duke përcaktuar kohën se kur do të paguajë këstet e pezulluara. Opsionet do të varen sipas mundësisë së kredimarrësit.
Në rast se ai dëshiron, mund t’i paguajë brenda vitit. Nëse nuk ka mundësi, atëherë do të shtyhet me tre muaj kontrata e përfundimit të kredisë. Por në çdo rast do të ketë një marrëveshje të re me bankën apo institucionin financiar jo bankar ku është marrë kredia.
Banka e Shqipërisë thotë se ka udhëzuar sistemin bankar që të orjentojnë klientët që kanë mundësi pagese për kreditë, ti kryejnë ato edhe on linë, nëpërmjet kartave të kreditit.