Avokati Adriatik Lapaj është shprehur se ka një synim të qartë nga BE dhe SHBA për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.
Komentet Lapaj i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se pezullimi i fondeve IPARD për bujqësinë nga BE, është një mesazh për qytetarët dhe për të ndëshkuar klasën politike në vend.
Ai shtoi se Shqipëria është në fundin e një cikli të tmerrshëm tranzicioni.
“Është dukshëm synimi i partnerëve tanë në BE dhe SHBA për të luftuar korrupsionin dhe për të dhënë mesazhe të qarta popullsisë në Shqipëri, si dhe për të ndëshkuar një klasë politike që nuk ka balance në këto 30 vite.
Lajm i keq është bllokimi i këtyre fondeve sepse ka shumë fermerë që i presin, por ne nuk mund të vijojmë pafund në agoni. Duket se ka një lëvizje dhe përballje me të keqen.
Është fundi i një cikli të tmerrshëm. Ky tranzicion është në fazën përfundimtare. Qytetarët të jenë vigjilent për të mos ricikluar modele të ngjashme”, është shprehur Lapaj.