Ish-kryeministri Sali Berisha në një mbledhje me grupin parlamentar, ka komentuar ligjin për kanabisin mjekësor nga qeveria, ku tha se me këtë të fundit po bën që Shqipëria të kthehet në një narkoshtet.
Berisha tha se kanabisi është një substancë që mbjell krim dhe vetëm krim.
“Ligji i kanabisit, i narkoshtetit. Asgjë se justifikon kanabisin, por me Ramën Shqipëria është narkoshtet, tipik dhe i vetëm në Europë dhe kanabisi mbulon vendin, po ashtu dhe lulëkuqja, po mbillen dhe ju garantoj se do zëvendësojnë të gjithë prodhimet e tjera, pasi janë më të shtrenjta. Këta nuk flasin fare, bëhen mashtrime policiore, pasi janë të gjithë socialistë dhe mbrohen nga partia. Pasojat katostrofale janë mbi shëndetin mendor, një substancë që mbjell krim dhe vetëm krim. Do t’i kundërshtojmë me forcën më të madhe”, tha ai.
Sakaq Berisha komentoi dhe pezullimin e fondeve nga Komisioni Europian për bujqësinë, ku tha se kjo erdhi si pasojë pasi në vendin tonë ato vidhen dhe shpërdorohen.
“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionet fondet për bujqësinë, që janë jetike por përfundojnë të gjitha sipas hetimit shpërdorohen dhe nuk çohen në destinacion. Ndaj na del dhe akademia e çobanëve tani dhe materniteti i mushkave. Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta.
KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari. Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi.
Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, tha Berisha.