Bashkimi Evropian ka ndërprerë përkohësisht fondet për Shqipërinë në fushën e bujqësisë.

Delegacionit te Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se  Komisioni Evropian ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.

Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.

Hetimi europian vazhdon dhe nën kontroll janë projektet e dhëna në vitet 2014-2020 në Shqipëri.

Ky vendim vjen teksa BE-ja po bëhet gati të shpërndarjë një paketë të re financiare për rajonin me vlerën e 14 miliardë euro.

Në të njëjtën ditë, ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann u shfaq në një tryezë të Kuvendit të Shqipërisë, ku ju tha ligjvënësve se Unioni është gati të japë fonde për Shqipërinë, por vendi ynë duhet të jetë i besueshëm që t’i thithë ato.

“Niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e BE-së. Von der Leyen ka propozuar paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik. Kjo është një shtytje që duhet t’i japim. Nuk ka drekë falas, nuk ka as fonde falas. Nëse t’i do të marrësh fonde të BE-së duhet të plotësosh disa kushte” tha ajo.

Në të njëjtin moment, diplomatja duartrokiti punën e SPAK, por kërkoi që puna të vijojë.

“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri. SPAK këtë vit ka dhënë rezultate. Duhet ta bëni këtë jo për mua, as për BE-në. Por duhet të bindni qytetarët tuaj. Ata duhet të kenë besim tek sistemi i drejtësisë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të garantojnë që drejtësia të japë rezultatet më të larta  të standardeve evropiane dhe të mos lërë vend për dyshime apo pikëpyetje”, shtoi diplomatja.

Deklarimet u bënë në Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, në të cilin ambasadorja e BE-së tha se Shqipëria mund të marrë një lajm të mirë për integrimin në muajin dhjetor.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re