Kryeministri Edi Rama u shpreh se biznesi fason dhe call center nuk kanë respektuar rregullat dhe masat mbrojtëse për t’u ruajtur nga përhapja e koronavirusit.

Nga inspektimet e bëra ditën e sotme, kreu i qeverisë tha se janë konstatuar biznese që nuk kanë ruajtur distancat mes punonjësve prej më shumë se 1 metër larg dhe nuk kanë përmbushur rregullat e higjienës.

Rama lajmëroi se këto biznese do të mbyllen deri në një moment të dytë, dhe nëse pasi të rihapen do të konstatohen sërish që nuk i kanë përmbushur kushtet, do të mbyllen përgjithmonë.

“Kjo masë e skajshme për ta ngadalësuar shtrirjen e armikut në organizmat tona do të pasohet nga të tjera. Sot kemi ndërmarrë një sërë inspektimesh në kompanitë fason dhe call center, të cilat do të jenë të mbyllura nesër dhe deri në fund të këtij afati, por janë të detyruara të respektojnë të gjitha distancat teknike të sigurisë, dhe të gjithë elementët e sigurisë për çdo punonjës. Në rast se kur të fillojnë aktivitetin do të konstatohen se nuk kanë kryer detyrimet për të mbrojtur punonjësit, do të mbyllen dhe do të marrin përsipër kompanitë çdo kosto të kësaj mbyllje se në këtë rast është neglizhenca e tyre, dhe jo një mbyllje për një forcë maxhore, të paktën në këtë fazë të planit për zmbrapsjen e këtij armiku që na kërcënon”, tha Rama.

Në një komunikim në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se sa të rëndësishme janë masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kreu i qeverisë tha se kjo luftë fitohet vetëm duke u ndërgjegjësuar dhe duke u përshkallëzuar me masa të forta deri në ekstrem.

“Këto masa janë domosdoshmëri për të ruajtur Shipërinë nga përshkallëzimi agresiv i koronës mbi të afërmit tanë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se 80% e kalon koronavirusin pa shenja dhe pa e kuptuar. Edhe në 20%-shin tjetër, jo të gjithë bëhen për spital dhe humbin jetën. “Ne kemi në dorë ta lodhim derisa ta mundim“, – tha Rama.

“Po ju shpjegoj se nesër edhe fasonët dhe call center do ta kenë të ndaluar të qarkullojnë punonjësit e tyre. Faktikisht nesër duhet të jenë të mbyllur.

Nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojnë inspektimet për sigurinë dhe nëse standardet, që janë të thjeshta nuk do të garantohen do të marrim masa drastike, që do të bien në shpatullat e pronarëve, duhet ta harrojnë që mund të kërkojnë nga shteti para për shkak të mbylljes se nuk është mbyllje që vjen si rezultat i kërkesës së shtetit në kohë të zakonshme, por që mund të vijë si rezultat i moszbatimit të rregullave të këtij  momenti dhe mos vënies në jetë të këshillave. Është pa përgjegjshmëri që nuk mund të shpërblehet, por do të ndëshkohet” tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re