Bllokimi i lëvizjeve si rrjedhojë e masave për të frenuar përhapjen e Covid-19 ka frenuar të paktën përkohësisht, tendencën e emigracionit të shqiptarëve, që ishte rigjallësuar sërish vitet e fundit.

Të dhënat e Zyrës Europiane për Mbështetjen e Azilantëve (EASO) bëjnë të ditur se në muajin mars, kishte gjithsej 581 aplikime për azil në vendet e BE+ nga Shqipëria, duke u përgjysmuar në krahasim me muajin shkurt. Ndërsa në raport me marsin e një viti më parë, ka një rënie prej 76% të kërkesave për azil.

Edhe për marsin, Shqipëria mban sërish rekord në rajon për nga numri i lartë i aplikimeve. Pas nesh renditet Serbia me 207 raste.

Refuzimi vijon të jetë shumë i lartë. 786 vendime ishin negative për shqiptarët në mars dhe vetëm 6 morën status refugjati. Që prej fundit të 2019-s ka rënë ndjeshëm dhe numri i rasteve stok, nga rreth 13 mijë në dhjetor, në më pak se 6000 në mars. Të dhëna të tjera të mëparshme të Eurostat treguan se nivei i refuzimeve është shumë i lartë. Sipas Eurostat, në vitin 2019 vetëm 1470 kërkesa për azil morën një vendim pozitiv, ose 7.2% e totalit. Gjithsej u shqyrtuan rreth 20 mijë aplikime.

Rënia e kërkesave për azil ishte shënuar dhe në dy muaj e parë të vitit, ku për janar-shkurt kishte rreth 2200 aplikime, me një tkurrje prej 45% nga e njëjta periudhë e 2019-s.
Të dhënat e Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO) bënë të ditur se në vitin 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin 22.9 mijë, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie.

Aplikimet totale

Në mars, vetëm 34 737 kërkesa për azil u paraqitën në BE +, duke u përgjysmuar nga shkurti, si rrjedhojë e masave të marra pas shpërthimit të COVID-19. Si e tillë, tendencat për Mars nuk janë vërtet treguese të ecurisë së azilit në vendet e BE +.

Pritet që tendencat e azilit të rifillojnë në mënyrë të arsyeshme pas heqjes së kufizimeve aktuale.

Para shpërthimit të COVID-19, aplikimet u rritën me 16% nga e njëjta periudhë në vitin 2019 (janar-shkurt) por aplikimet në Q1 (161 563) u zvogëluan në krahasim me 2019 për shkak të masave emergjente që hynë në fuqi në mes të marsit.

Siranët dhe Afganët vazhduan të paraqesin më së shumti kërkesa për azil, bashkë me shtetasit nga Venezuela dhe Kolumbia. Në fakt, këto katër shtetësi përbënin 38% të të gjitha aplikimeve totale të paraqitura në BE +. Në shkurt ka pasur një numër të lartë aplikimeshtë pazakonta nga Kuba dhe Mauritius.

/Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re