Pfizer dhe BioNTech kanë filluar një provë klinike për vaksinën specifike të zhvilluar prej tyre, e cila do të targetojë variantin Omicron të Covid-19.

Ky studim do të vlerësojë vaksinën nga ana e sigurisë, tolerancës dhe nivelit të përgjigjes imunitare. Ajo do të aplikohet edhe si vaksinë fillestare, edhe si dozë përforcuese, te rreth 1,420 të rritur të shëndetshëm mes moshës 18 deri në 55 vjeç.

Studimi është i ndarë në tre grupe:

Pjesëmarrësit e grupit të parë kanë marrë dy doza të vaksinës aktuale Pfizer kundër Covid-19, të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të bëjnë një ose dy doza të vaksinës specifike kundër Omicron.

Pjesëmarrësit e grupit të dytë kanë marrë tre doza të vaksinës aktuale Pfizer kundër Covid-19, të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të bëjnë një dozë të vaksinës aktuale Pfizer kundër Covid-19 ose një dozë të vaksinës specifike kundër Omicron.

Pjesëmarrësit në grupin e tretë nuk kanë marrë asnjë vaksinë kundër Covid-19. Ata do të bëjnë tre dozat të vaksinës specifike kundër Omicron.

Vaksina specifike për variantin Omicron do të administrohet si një dozë 30 mikrogramë, njësoj si vaksina aktuale.

“Megjithëse studimet e deritanishme dhe të dhënat nga realiteti tregojnë se dozat përforcuese vazhdojnë të ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjes së rëndë dhe shtrimit në spital nga varianti Omicron, ekziston nevoja për të qenë të përgatitur në rast se kjo mbrojtje zbehet me kalimin e kohës dhe për të ndihmuar në përballimin  e Omicron dhe të varianteve të reja në të ardhmen”, tha në këtë njoftim nënkryetarja e Pfizer dhe shefja e Kërkimit dhe Zhvillimit të Vaksinave, Kathrin Jansen.

CEO i Pfizer, Albert Bourla, tha muajin e kaluar se nëse nevojitet një vaksinë e re për variantin Omicron të koronavirusit, kompania e tij do ta ketë atë gati në muajin mars. Megjithatë, një zëdhënës i Pfizer konfirmoi se kompania ka filluar tashmë prodhimin e kësaj vaksine.

“Në vazhdën e Omicron, ne po investigojmë në mënyrë proaktive dhe po prodhojmë, duke marrë përsipër të gjithë riskun, një vaksinë specifike për variantin Omicron për ta pasur gati në rast se do të jetë e nevojshme, por sigurisht që së pari duhet të kemi rezultatet dhe përgjigjet nga autoritetet shëndetësore, si dhe lejen e tyre, përpara se të mund të fillojë aplikimi i saj,” tha zëdhënësi për CNN.

Prodhimi i pritshëm i vaksinave aktuale nuk do të ndikohet nëse kompanitë duhet të fillojnë të zhvendosin prodhimin drejt vaksinës së re, thanë ata.

“Kompanitë kanë njoftuar më parë se kanë si synim të prodhojnë katër miliardë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 në vitin 2022 dhe ky kapacitet nuk pritet të ndryshojë, edhe nëse do të nevojitet një vaksinë e përshtatur për Omicron”.

Megjithatë, kompanitë theksuan gjithashtu se njerëzit që kanë marrë doza përforcuese të vaksinës aktuale “kanë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër Omicron, veçanërisht kundër sëmundjes së rëndë dhe shtrimit në spital”.

Një studim i ri laboratorik i papublikuar ende tregon që antitrupat kundër variantit Omicron të koronavirusit vazhdojnë të jenë të fuqishme deri në katër muaj pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech.

“Të dhënat shtesë të efektivitetit nga realiteti dhe studimet laboratorike do të përcaktojnë më me saktësi kohëzgjatjen e mbrojtjes, nevojën e mundshme për një dozë shtesë në të ardhmen, si dhe nëse kërkohet një vaksinë e modifikuar për variantin Omicron,” thuhet në studimin e Degës Mjekësore të Universitetit të Teksasit, të realizuar në bashkëpunim me Pfizer dhe BioNTech. /CNN

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re