Kompanitë BioNTech/Pfizer dhe Moderna do të mbizotërojnë tregun e vaksinave Covid-19 vitin e ardhshëm, duke arritur një shumë prej 93.2 miliardë dollarësh në shitjet bruto të vaksinave, gati sa dyfishi i sasisë në vitin 2021, sipas parashikimeve të reja.

Parashikimet nga Airfinity, një agjenci analitike, tregojnë se dy prodhuesit e vaksinave me ARN, do të mbizotërojnë tre të katërtat e tregut të vaksinave në vitin 2022 (duke mos përfshirë tregun kinez). Rivalët AstraZeneca, Johnson & Johnson, Sputnik V i Rusisë dhe të tjerë si Novavax, përbëjnë pjesën tjetër të tregut, i cili parashikohet të dyfishohet në vlerë duke arritur deri në 124 miliardë dollarë një vit më vonë.

BioNTech/Pfizer parashikohet të arrijnë një vlerë prej 54.5 miliardë dollarësh në shitjen e vaksinave Covid-19 ndërsa kompania Moderna 38.7 miliardë dollarë, një shifër shumë më e lartë sesa parashikimet fillestare prej përkatësisht 23.6 miliardë dollarësh dhe 20 miliardë dollarësh. “Numrat janë të pashembullt,” tha Rasmus Bech Hansen, shefi i Airfinity. “Ne parashikojmë vazhdimin e shitjeve në vitin 2022, teksa kombet kërkojnë siguri të vazhdueshme dhe kombet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kërkojnë të arrijnë nivelin e vaksinimit të kombeve me të ardhura më të larta.”

Shumica e analistëve pajtohen se Pfizer në veçanti, ka mbizotëruar garën e vaksinave Covid-19 dhe ka shumë të ngjarë ta forcojë edhe më tepër këtë pozicion, në muajt e ardhshëm. “Ajo ishte kompania e parë që mori miratimin për të rriturit, që mori autorizimin për dozën përforcuese dhe që do të marrë miratimin pediatrik”, tha Geoffrey Porges, analist në SVB Leerink.

Institucioni financiar parashikon se BioNTech/Pfizer do të gjenerojë 39.5 miliardë dollarë në shitjen bruto të vaksinave këtë vit, megjithatë shitjet bruto pritet të bien në 9 miliardë dollarë në vitin 2022, për shkak të uljes së kostove, uljes së kërkesës në kombet e pasura dhe shtimit të numrit të konkurrentëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re