Alergjitë zakonisht lidhen me pranverën ose vjeshtën, sepse poleni është aktiv gjatë këtyre kohërave dhe shkakton simptoma alergjie në shumë njerëz. Megjithatë, alergjitë e verës janë gjithashtu të zakonshme dhe shkaktohen nga të njëjtat alergenë si në stinët e tjera. Simptomat e alergjisë verore mund të ngatërrohen me një të ftohtë të verës apo edhe me COVID-19. Simptomat e zakonshme të alergjisë janë bllokimi i sinuseve, rrjedhja e hundës, teshtitja, kollitja dhe kruarja ose lotimi i syve. Alergjitë mund të shkaktojnë edhe dhimbje të fytit.

Por, ndërsa shenjat kryesore të COVID-19 janë ethet dhe kolla, alergjitë nuk shkaktojnë ethe, duke e bërë atë një nga ndryshimet kryesore midis alergjive dhe COVID-19. Alergjitë e verës zakonisht shkaktohen nga poleni i barit, i cili arrin nivele mesatare deri në të larta gjatë gjithë muajve të verës.

Mjekja alergologe, Dr. Mira Xhixho në një intervistë për gazetën ‘Shëndeti’ flet për alergjitë më të zakonshme gjatë stinës së verës dhe kujdesin që duhet të bëjmë.

Doktoresha, a keni raste të pacientëve me probleme të alergjisë gjatë kësaj periudhe?

Po, ka individë që paraqesin probleme tipike të alergjive gjatë këtij sezoni por me një numër më të vogël krahasuar me alergjitë e pranverës apo të vjeshtës. Por, ka situata alergjike nga më të larmishmet.

Së pari, më duhet të përmend alergjitë që janë në vazhdimësi, të cilat në varësi të llojit dhe mënyrës së trajtimit mundet që në këtë sezon të vijnë në gjendje të rënduar, siç janë astma bronkiale e pamjekuar si duhet apo e padiagnostikuar. Tek personat e diagnostikuar, sidomos tek fëmijët, ne hasim shumë raste që mjekimi evitohet, nuk përdoret në sasinë e duhur ose ndërpritet, kjo bën që edhe në muajt e ngrohtë të verës të na vijnë fëmijë apo adoloshentë me shenja të kollës dhe vështirësisë në frymëmarrje apo qoftë me bllokim të hundëve.

Gjithashtu, në këtë periudhë janë të pranishme alergjitë nga pickimi i insekteve. Insektet e pranishme që bëhen shkak i reaksioneve të forta alergjike janë kryesisht bleta dhe grerëza. Disa individë nga pickimi i tyre shfaqin alergji e cila mund të jetë nga një gradë e lehtë deri në grada të shpejta dhe shumë të rënda duke kërcenuar edhe jetën. Aktualisht në muajin gusht deri në fund të shtatorit më të shpeshta janë alergjitë nga pickimi i grerëzave. Këto pickime pasohen me skuqje, enjtje dhe dhimbje në vendin e pickuar dhe rreth tij, të shoqëruara me kruajtje, temperaturë lokale dhe në raste të rralla edhe trupore.

Ka dhe raste të tilla kur shenjat shfaqen në organe të tjera të organizmit si: mushkëri, zemër, sistemin nervor apo të qarkullimit të gjakut dhe aparatin tretës etj. Në momentin që këto shqetësime vendosen brenda 2 orësh nga pickimi i insektit kemi të bëjmë me reaksione të forta apo të rënda që kërkojnë ndihmë  urgjente pasi kërcënojnë jetën e personit.

Shkak për reaksione të tilla mund të bëhen edhe me pickime të insekteve të tjera si: merimanga, këpusha (rriqnat) apo insekte të tjera nga më të rrallat. Këto reaksione mund të shfaqen për herë të parë tek një individ por në shumë raste janë të përsëritura, në të gjitha rastet ku dyshohet një reaksion alergjik i tillë me potencial kaq të fortë rekomandohet që individi të referohet te mjeku përkatës specialist për të menaxhuar më tej situatën dhe për të parandaluar pasojat dhe risqet në të ardhmen.

Çfarë kujdesi duhet të tregojmë ne ndaj këtyre alergjive?

Problematikat që japin pickimi nga bletët sapo grerëzat, janë alergji me shenja të forta për jetën, ndaj për këtë arsye duhet të marrim disa masa:

  • Duhet të ruajmë qetësinë nëse kemi pranë insekte të tilla pasi ato nuk janë sulmuese, thjesht mbrohen nëse ne përpiqemi t’i largojmë
  • Nuk duhet të ecim me këmbë zbathur, sidomos në plazhe ku të pranishme janë mbetjet të cilat mund të tërheqin insektet apo tregjet e fruta-perimeve që mund të jenë të ekspozuara në diell apo ku ka shumë lëvizje
  • Nuk duhet të veshim rroba me ngjyrë të ndezur që janë tërheqëse për bletët apo grerëzat.
  • Nuk duhet të përdorim parfum apo kremëra pasi aromat janë tërheqëse, sidomos ato të luleve.
  • Kujdes ndaj konsumimit të lëngjeve të hapura në kanace, apo ëmbëlsirat.

Ajo çfarë është më e rëndësishme, është kontakti i vazhdueshëm që duhet të ketë pacienti me mjekun alergolog për të marrë udhëzime të posaçme, të personalizuara dhe të detajuara, që të jemi në gjendje të parandalojmë reaksionin që do na krijohet pas pickimit, gjithmonë e më shumë nëse një rast i tillë është i përsëritur.

Jo të gjithë që do pickohen do të kenë probleme. Janë individë të veçantë ata që janë pickuar një herë dhe kanë pasur problem alergjik të vogël ose edhe jo. Këto duhet të kenë shumë kujdes, të kontaktojnë mjekun alergolog dhe mjeku në bazë të gravitetit apo rëndesës së problematikës që ka dhënë pickimi do vendosë nëse është një reaksion i lehtë, i mesëm apo i rëndë.

Më pas nga mjeku specialist këshillohet specifikisht çdo individ përdorimi i medikamentit adrenalinë për vetë-përdorim nga pacienti dhe në këtë mënyrë evitohet edhe një situatë e madhe e cila mund të jetë reale por edhe mund të ekzagjerohet nga ana jonë duke ndikuar ankthi dhe frika. Vetë ankthi dhe frika shton më shumë reaksionin pra zmadhon përmasat e tij. Ndaj është shumë e rëndësishme kontakti me alergologun për të përcaktuar drejt shkallën e rrezikshmërisë së këtij pickimi dhe për të marrë edhe mjekimin për ta aplikuar në momentin e duhur dhe nga ky aplikim do jemi plotësisht të mbrojtur për minutat në vazhdim.

Këshillë tjetër shumë e rëndësishme është që personat që kanë alergji si asëm bronkiale nga polenet e pranverës apo në gjithë vitin ndaj shkaktarëve alergjik të tjerë duhet patjetër të vendosin mjekimin e duhur sipas rekomandimit të mjekut alergolog e të bëjnë një kontroll për të parë ky mjekim duhet i plotë, duhet përgjysmuar apo duhet ndërprerë në mënyrë që mos të nënvlerësohet asnjëherë marrja e mjekimit edhe pse ditët janë të ngrohta favorizuese për shëndet të mirë për këta persona. Personat që shfaqin për herë të parë shenja alergjie si: tështima, kollë, probleme me frymëmarrjen, lëkurën duhet të paraqiten te mjeku alergolog edhe pse jemi gjatë muajve të verës për të bërë diagnozë të saktë.

Gjithashtu e rëndësishme për të mos u neglizhuar, tashmë që jemi në mes të sezonit veror është pikërisht koha kur njerëzit konsumojnë më së tepërmi produktet e detit, të cilat shpesh bëhen shkak i alergjive të papritura deri në rrezik për jetën. Sa i takon alergjive ndaj produkteve të detit, ka raste por janë pakësuar, duke u kthyer deri diku në raste të rralla, pasi ata persona që janë në dijeni të alergjisë së tyre mundohen t’i evitojnë. Peshku dhe të gjithë produktet e detit rradhiten në 8 ushqimet që shkaktojnë më së tepërmi alergji, ndaj duhet patur kujdes në konsumimin e tyre.

Botuar në gazetën “Shëndet+”, me titull “Pickimi nga insektet, astma dhe alergjia ushqimore, mjekja Xhixho: Ja ç’duhet të dini dhe si ti trajtoni”, gusht 2022

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re