Në pamje të parë duket si një mosmarrëveshje tregtare e rëndomtë, por pas shisheve të bllokuara të sakes fshihet një nga krizat më të rënda diplomatike të viteve të fundit. Pija kombëtare japoneze, një alkool i prodhuar nga orizi, është bërë viktima e papritur e një lufte nervash mes Pekinit dhe Tokios, duke treguar se si këtë vit, tregtia po përdoret si një “kamxhik politik”.
“Hakmarrja” që nis në dogana
Gjithçka nisi pas deklaratave të forta të Kryeministres japoneze, Sanae Takaichi, mbi mbrojtjen ushtarake të Tajvanit. I irrituar nga ajo që e konsideron “ndërhyrje”, Pekini ka zgjedhur një rrugë të tërthortë për të goditur: bllokimin e produkteve ushqimore japoneze.
Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, procedurat doganore për saken në portet kineze janë dyfishuar në kohë, duke u zvarritur për javë të tëra nën një “dembelizëm” burokratik të qëllimshëm që synon të gjunjëzojë eksportuesit japonezë.
Kina mbetet tregu kryesor i kësaj pije, me një vlerë prej 11.6 miliardë jen (75 milion euro), dhe ky bllokim godet drejtpërdrejt ekonominë rurale japoneze.
Lufta përtej alkoolit
Por sakeja është vetëm maja e ajsbergut. Sherri është përshkallëzuar në sektorë jetikë si ai i gjysmëpërçuesve dhe mineraleve të rralla. Kina i ka shtrënguar ndjeshëm dhënien e licencave të eksportit për metalet që Japonia i përdor në industrinë e saj të mbrojtjes dhe teknologjisë së lartë.
Si kundërpërgjigje, Japonia po përgatit anijen “Chikyu” për të nisur operacionin e parë në botë të kërkimit të minieraleve në det të thellë, deri në 6.000 metra thellësi, duke tentuar të thyejë varësinë prej 70 për qind nga importet kineze.
Një kërcënim që po rritet
Përtej shifrave, situata në terren është e tensionuar. Pekini denoncon “demonët militaristë” të Tokios, ndërsa një sondazh i fundit tregon se 68 për qind e japonezëve e shohin fuqinë ushtarake kineze si kërcënimin numër një.
Ajo që nisi me bllokimin e një pije alkoolike, po rezulton të jetë një betejë për dominim në Azi. Viti 2026, po na tregon se kur mungon dialogu, edhe një produkt tradicional mund të shërbejë si shkrepëse për të ndezur zjarrin e një konflikti global.



