Merr zgjidhje një nga kërkesat e hershme të fermerëve të Belshit të cilëve u mungonte një pikë grumbullimi për prodhimet bujqësore.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan, bashkë me Kryetarin e Bashkisë Arif Tafani inspektuan pikën e grumbullimit të prodhimeve bujqësore të ndërtuar nga Bashkia me fondet e programit ‘IACA’ e cila do u vijë në ndihmë fermerëve të zonës.

 

Gjiknuri nënvizoi se modele të tilla ekonomike duhen përkrahur kudo me qëllim rritjen e kapaciteteve.

 

“Ky është një shembull shumë interesant i një investimi të karakterit publik të Bashkisë me mbështetje të një programi të qeverisë italiane, programi ‘IACA’ që bën të mundur ndërtimin e një pike grumbullimi dhe administrimin e saj nga ana e bashkisë që do i shërbejë të gjitha kulturave bujqësore në Bashkinë e Belshit. Sot që flasim një pjesë e mirë e kulturave shkojnë në Lushnje, në Berat, apo në vende të tjera.

 

Ndërkohë, aq më tepër që bëhet me fondet e shtetit dhe administrimin e Bashkisë, kjo do u vijë në ndihmë të gjithë bujqve dhe fermerëve të zonës pasi do kenë mundësi të depozitojnë produktet e tyre këtu. Është një model i mirë ekonomik që duhet përkrahur kudo në mënyrë që bashkitë nëpërmjet mbështetjes së programeve qeveritare të ndërtojnë këto pika dhe të krijojnë kapacitete për administrimin e tyre”, tha ai.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, nënvizoi se këto pika grumbullimi i shërbejnë përmirësimit të zinxhirit të furnizimit dhe do të ofrojë tarifa më të mira për bujqit e zonës.

 

“Është meritë e bashkisë që ka arritur ta promovojë dhe kryetari i Bashkisë ka një eksperiencë në këtë fushë. Ndaj patjetër jam i bindur që ka dhënë kontributin personal të bërjes të mundur të kësaj gjëje. Ka nevojë bujqësia shqiptare sa më shumë për investime të tilla. Prodhimi sa vjen e shtohet dhe ajo që mbetet është sesi të ulim kostot drejt tregjeve dhe si të ruajmë produktet. Fakti që është bërë me investime të karakterit publik e bën edhe më të menaxhueshme nga pikëpamja e tarifave. Për të gjithë bujqit kjo do të jetë me tarifa shumë më të mira”, theksoi Gjiknuri.

 

Kryebashkiaku Arif Tafani u shpreh se në vjeshtë ambienti do të jetë gati për t’u vënë në shërbim të fermerëve. Pika e re e grumbullimit plotëson të gjitha standardet. Kapaciteti i kësaj pike grumbullimi parashikon përballimin e të gjithë nevojave të fermerëve të Belshit dhe zonave përreth.