Protesta e studentëve të cilët prej sa ditësh ngulen paradite para Ministrisë së Arsimit e shkulen prej aty në mbrëmje, po shënon precedentin më të rrallë në historinë e pluralizmit, apo dhe në zhvillime të ngjashme botërore. Ajo, sa e qartë në dukje, është po aq e “mistershme” në pikëpyetjet e mëdha që e shoqërojnë. Si mundet që morri këtë përmasë? Pse është kaq kokëdërre përballë gjithë pelëshimit qeveritar, kaq stoike? Ku fshihej gjithë ky nerv? A është tashmë ajo thjesht një protestë klasike e tipit “unë t’i kërkoj e ti m’i jep” (kërkesat), apo tashmë aty ndërfyten dhe aspekte psikologjike të tipit “adrenalinë rinore” që duhet të shpërthejë diku? Pse nuk ka emra drejtuesish? Kush janë kokat udhëheqëse pas kaq ditësh? A ekziston një strategji, një fund i parashikuar apo i lexuar, në bazë të kësaj apo asaj? Çfarë mund të bëjnë ata nëse qeveria nuk u jep atë që e kërkojnë, në mënyrën që e kërkojnë? Sepse në fakt, qeveria pothuajse jua ka dhënë në parim; por dy ditë më parë, protesta pati një precedent, po ashtu të rrallë si vetë ajo, plot pikëpyetje dhe anë të “errëta”: e kërkuan ministren në shesh, iu zbriti, u fut mes tyre, u bë gati të komunikonte por nuk mundi. Pra, si e vizatojnë ata pritshmërinë ndaj qeverisë? Si duhet të ndodh plotësimi i kërkesave? Duhet të vijë Rama në shesh me kërkesat e të vërë firmën para tyre? Hëm! Studentët, edhe pse gojëlëshuar në thirrje e sllogane, në këtë pikë ende nuk munden të artikulojnë diç të qartë. Në pikën e motivimit bazë për të dalë në shesh, artikulojnë vetëm një frazë: Të plotësohen kërkesat, nuk duam negociata. Edhe nga qeveria vjen pak a shumë përgjigja që ata do donin: Po, jemi dakort, por hajde edhe t’i diskutojmë. (Çdo kërkesë ka dhe aspekte teknike).

Nëse studentët e duan Ramën aty, në shesh, mirë do ishte ta “ftonin” duke i bërë një sfidë, në mënyrë që dhe praktika e tyre të qartësohej. Të sajohej një hapësirë bosh mes turmës, me një karrige në mes, ku t’i thuhej: ja vendi yt e ne rreth teje. Të presim të vendosësh. Pak gjasë të ndodhë, ashtu siç ka marrë e po merr, ku tashmë nga një protestë më shkëlqim rinor, me një aureolë idealizmi, po shndërrohet në një bezdi sociale; sepse po troket në anarki.

Dhe duke rikthyer pikëpyetjeve të mëdha që shoqërojnë ngjizjen e kësaj proteste, mënyrës se si po zhvillohet, e cila ka thyer të gjitha rregullat sociologjike, ka vend për të dyshuar te një skenar i mirëpërgatitur, edhe pse teoritë konspirative në këtë rast ngjajnë si tejet naive. Ka ngjashmëri kjo protestë me atë për armët kimike: spontaniteti, masivizimi, mospatja e një koke; por atëherë ishte fjala për një çështje shumë sensitive shoqërore. E megjithatë, edhe në atë rast nuk kanë munguar teoritë për një dorë ruse në gjithë atë që ndodhi, së paku te ata që në të tilla raste janë “ndezësit e zjarrit” në rrjete sociale.

Pak javë më parë, në një studio televizive, Nikollë Lesi i ka përmendur Ramës dhjetorin, si muaj telashi për të. E ka thënë këtë nëpër dhëmbë, duke e pasuar me pranverën.

Ndiqeni:

E pra jemi në zemër të dhjetorit dhe protesta e studentëve po vlon. Nga ana tjetër, autoriteti që afishoi urdhërin e pagesës së tarifave te Ndërtimi, e ka bërë këtë në një kohë të paduhur. Rama në komunikimin e tij në FB këtë të hënë, e cilësoi aktin e dekanit si të papërgjegjshëm.

Ndërkohë, protesta, që në nisje nuk ka patur asnjë ngërç, përjashtuar atij statusit çapraz të Ramës me cilësimin “ngelësa”. Prej asaj dite e deri më sot, qeveria ka bërë të përulurën, siç asnjë protestues në botë nuk do e kishte imagjinuar. E në qoftë për çështje inati, bash për çaprazllëkun e Ramës, gjithsesi vijimi i protestës duhet të ketë një fund dhe një devijim drejt dialogimit, siç logjika e pastër e kërkon, nëse i qëndrohet besnik motivit bazë të saj.

Ah, nëse ajo masë rinore po përjeton idilin e të qënit në qendër të vëmendjes, dehjen nga afirmimi social e imponimi politik, adrenalinën e daljes prej anonimatit, kjo është çështje psikologësh. Gjersa ata nuk po aplikojnë sistemin hinkë, ku masa shkon e ngushtohet jo në numër por në përfaqsim nga një kokë drejtuese, e cila mundëson avancimin e suksesit të protestës duke kaluar në fazën e dialogimit, mbetet të mendosh për një psikozë kolektive që ka përfshirë masën studentore, ku dhe detaji hormonial i moshës duhet marrë në konsideratë.

Më pas, nga qeveria mbetet të bëhet vetëm një eksperiment social, ku, duke iu ofruar një dokument me firmë e vulë që plotësohen të gjithë kërkesat (Kujt do t’i jepet? Kush do e marrë? Ku dhe kush do e protokollojë?), të shihet më pas nëse do ketë kthim të qetë në auditore. Edhe të gëzueshëm, sigurisht!                         

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re