Deklarata e Ministrit të Brendshëm të Kosovës Bajram Gashi, i hapën një sezon të ri telenovelës “Babalja”.

“Dëshmitari X”, alias Albert Veliu është mjaft pranë marrjes së statusit të azilantit politik.

Me këtë situatë, telenovela vetëm do t’i shtojë notat dramatike për politikën dhe rrjetet sociale, pasi në thelb hetimi për këtë çështje mbetet sërish në vend.

Shkoqur e qartë: Prokuroria nuk mund të ecë fare në hetimin për të ashtuquajturin përgjim, pasi asnjë nga “të zotërit e punës” nuk ndodhet në territorin e Republikës. Agron Xhafa është në Itali, pasi ka shkuar të vuajë dënimin që ka lënë pa bërë, kurse Albert Veliu ndodhet në Kosovë në kërkim, apo e nesër me statusin e azilantit.

Si do të veprojë prokuroria për hetimin që ka nisur mbi këtë çështje, në fakt të dy hetimet, njëri për vërtetësinë e përgjimit dhe tjetri për trafik droge?

Mund ta zgjidh me letërporosi, por sërish nuk është njësoj; pasi nuk mund të kryejë hetim apo marrje në pyetje në kushte normale, por do ta bëjë atë si për Xhafajn ashtu edhe për Babalen, me ndërmjetës dhe me avokatë të dyfishuar.

A e vështirëson situatën e Fatmir Xhafajt në Kosovë ikja e Albert Veliut? Pse kërkon ai azil ndërkohë që familja ka ikur në Belgjikë prej dy javësh gjithashtu që të kërkojë azil? Nga kush frikësohet Babalja?

Për Xhafajn, përkatësisht vëllezërit Xhafaj, një në burg në Itali e njëri ministër i Brendshëm, i ashtuquajturi “dëshmitari X” i ka thënë të gjitha.

Çdo gjë që ai do të thojë për këtë argument vetëm do të dobësojë dëshminë. Pasi shkurt: Babalja e akuzon Agron Xhafajn për trafik droge. Më shumë s’ka ç’të shtojë.

Meseleja qëndron se a është e vërtetë ajo që thotë Babalja dhe se kush e shtyu atë të regjistrohet në selinë e PD-së dhe të hyjë në një mishmash akuzash në një kohë të tillë pikërisht pranë vendimit për hapjes së negociatave me BE-në?

Kjo po hetohet nga prokuroria dhe diçka do të dalë nga hetimi, por problem është sa do të zgjasin hetimet me dy protagonistët larg Shqipërisë. Vetëm procedurat burokratike zgjasin me javë.

Ndërkaq, vendimi për dhënien e azilit nga ana e qeverisë së Kosovës është një procedurë normale, nëse prokuroria apo gjykata në Shqipëri nuk kërkon ekstradimin e Albert Veliut.

Sipas Konventës së OKB-së, çdo qytetar ka të drejtën për azil dhe kjo procedurë kalon nëpër një trajektore që nis nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe në fund vendoset në Gjykatë.

Por vendimi i parë do të duhet të merret nga zyrtarët politikë të qeverisë së Kosovës.

Nëse Tirana do të ndikojë tek Prishtina që kjo e fundit të mos i japë azil politik, sipas të gjitha gjasave qeveria e Kosovës do të dëgjojë homologët shqiptarë.

Është krijuar një precedent me të gjitha qeveritë në Tiranë e Prishtinë që të mos përplasen me njëra-tjetrën duke i rënë ndesh. Kjo mënyrë ka krijuar një traditë formalisht miqësore që ka qenë prezente me të gjithë kryeministrat të cilët kanë qeverisur në dy vendet.

Ministri i Brendshëm Bajram Bashi e bëri deklaratën për Babalen në prani të ambasadorit shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, çka ishte një sinjal që Prishtina jo vetëm nuk kishte diçka që ta bëjë në karshillëk me Shqipërinë, por u duk se ka madje edhe një “izëm” nga Tirana që Prishtina të kujdeset për Babalen.

Po kush janë ata që e kërcënojnë Babalen?

Gazetari i njohur i kronikës Artan Hoxha, deklaroi pak kohë më parë se segmente të krimit të organizuar në Shqipëri kanë joshur por edhe kanë shoqëruar “dëshmitarin X” në lojën e tij kundër Xhafajt.

Ndërkaq këto zëra i konfirmuan edhe burime të rëndësishme në agjencitë ligjzbatuese në vend.

Megjithatë, ajo që duket si më e mundshmja në këtë mesele, është se ikja e Babales të paktën për ca kohë, i qetëson ujrat këtu edhe e harron zhurmën që desh bëri gjëmën në Tiranë.

Të dyja palët duket se nuk e duan, pasi u përdor aq sa u desh.

Nëse qeveria e do ta ketë në Tiranë, thjesht me një kërkesë zyrtare policisë së Kosovës mund ta ketë për 24 orë. Njëkohësisht edhe opozita, mund t’i kërkojë prokurorisë që ta ekstradojë “dëshmitarin X” të saj dhe nëse e bën ka shumë gjasa që gjërat të lëvizin.

Por duket se azili i Babales ka ardhur si me konsensus…

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re