Një akrobate 37-vjeçare vdiq tragjikisht teksa performonte në lartësi me bashkëshort-partnerin e saj në qytetin kinez Suzhou të shtunën e kaluar.

Videoja e publikuar nga Daily Mail tregon momentin tronditës kur San Mumu ra nga një lartësi e madhe në skenë pasi burri i saj nuk arriti ta kapte me këmbë gjatë një marifeti ajror.

Sipas mediave lokale të cituara nga gazeta britanike, San ra nga një lartësi prej rreth 10 metrash dhe, ndonëse e plagosur rëndë, dëshmitarët raportuan se ajo po merrte ende frymë teksa ishte shtrirë në tokë. Gruaja u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

“Ne kemi qenë gjithmonë shumë të lumtur së bashku”, tha bashkëshorti 37-vjeçar i San Mumu, duke shpjeguar se ai nuk dëshiron të bëjë deklarata të mëtejshme pasi ende po lufton për të menaxhuar situatën psikologjikisht.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur se përse çifti ka marrë pjesë në një shfaqje pa masat e kërkuara mbrojtëse dhe pa lejen e kërkuar, ndërkohë që kompania organizatore e ngjarjes është vendosur tashmë nën ndëshkim ligjor.

Çifti i dy akrobatëve ishin bashkë prej disa vitesh, madje kishin edhe dy fëmijë në martesë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re