Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero në një intervistë për “ABC News” ka folur për situatën e pandemisë në vend. Pipero theksoi se të dhënat e fundit epidemiologjike dhe klinike tashmë tregojnë se COVID-19 thuajse ka hyrë në fazën e fundit.

Gjatë intervistës Pipero sqaroi se qytetarët duhet të shmangin grumbullimet, ndërsa shtoi se sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve, apo pishinave shumë më mirë do të ishte për vendin.

“Sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve apo pishinave shumë më mirë do të ishte”, u shpreh ai.

Meku infeksionsit theksoi se pas datës 1 qershor me shumë mundësi karantinimi në shumë vende të rajonit mund të hiqet, gjë e cila sipas tij mund të ndodhë edhe në vendin tonë.

“Të paktën për këtë sezon ne jemi në fazën e fundit të pandemisë. Numri i rasteve pozitive asimptomaik, (pa shenja klinike) është gjithnjë e në ulje. Indikatorët epidemiologjik dhe klinik mundësojnë hapjen e kufijve tokësor apo shtimin e zonave të gjelbërta, por kjo nuk do të thotë të ftojmë turistët dhe t’i mbajmë në karantinë. Unë do të këshilloja të gjithë resortet, baret, restorantet të respektojnë protokollet, por edhe qytetarët duhet të kenë kujdes.

 Në këtë fazë të hapjes qytetarët duhet të shmangin grumbullimet. Edhe pse ekspozimi mundëson përfitimin e imunitetit. Dalja ndihmon jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe në atë shëndetësor. Unë personalisht nuk shqetësohem nga rastet që kemi aktualisht, por do të thoja që të vazhdojmë të hapemi gradualisht. Ekspozimi në këtë periudhë të epidemisë mundëson fitimin e imunitetit”, u shpreh ai.

Më tej Pipero u shpreh se studime kanë dëshmuar që virusi nuk transmetohet përmes ujit, edhe pse shtoi se protokollet e dezinfektimit duhet të respektohen.

“Studimet e fundit dëshmojnë që virusi nuk transmetohet nëpërmjet ujit. Duhet të jemi të sigurt që frekuentimi i plazheve apo pishinave duke respektuar protokollet kur jemi në lokale apo në çadra, nuk na ekspozon ndaj virusit. Kam këshilluar që sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve apo pishinave shumë më mirë do të ishte për vendin tonë”, tha Pipero.

Gjithashtu ai sqaroi ashtu si mbyllja ndihmoi në përballimin e pandemisë po në të njëjtën mënyrë hapja do të ndihmonte pozitivisht në këtë situatë.

I pyetur për masat  e marra nga qeveria për mbylljen e plazheve, Pipero bëri me dije se vendimet e institucioneve duhet të respektohen, ndërsa shtoi: “Ekspozimi në diell ndihmon në përfitimin e vitaminës D. Unë këshilloj distancën fizike dhe përdorimin e maskave”.

Sa i përket mundësisë për rikthimin e një vale të dytë ai u shpreh se opinionet e dhëna janë disi kontradiktore edhe pse theksoi se ende nuk ka një evidencë të plotë për sjelljen  e këtij virusi.

“Askush nuk mund ta përjashtojë një valë të dytë, por kam thënë që në opinionin tim një valë e dytë në fund të vjeshtës ka gjasa që të mos jetë agresive. Besoj që mund të kemi një skemë mjekimi më efektive ndaj COVID-19”, tha ndër të tjera Pipero.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re