Piramida e Tiranës pas përfundimit të punimeve së jashtme dhe të brendshme në godinë, do të pajiset edhe me mjetet e nevojshme për një qendër teknologjie.

 

Gjatë një inspektimi këtë të hënë në ambientet e saj Veliaj u shpreh se pak ditë nga hapja, është shndërruar në objektin më të vizituar të Tiranës.

 

ERION VELIAJ

 

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

 

“Sot jetojmë në një kohë kur teknologjia s’po ndryshon shumë shpejt dhe teksa ne përgatitemi për kodimin, tashmë ka dalë Chat GPT, inteligjenca artificiale. Ndaj, do e pasurojmë kurrikulën tonë me risitë më të fundit të teknologjisë dhe të sigurohemi që çunat dhe gocat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, të marrin vërtet dijet për punët e të ardhmes,”

 

Veliaj shtoi se nga shtatori i këtij viti qendra do të jetë gati të presë të rinjtë për kurse në teknologji.

 

“Në vjeshtë do të kemi mbledhjen vjetore të bordit të AADF-së dhe hapjen zyrtare edhe për kurset. Në këtë moment, kemi hapur vetëm atë që quhet ‘harduare’ dhe në fund të verës do të hapim edhe atë që quhet ‘softuare’, pra pjesa e nxënies dhe e mësimit. Jam shumë i lumtur që Piramida është kthyer në një ‘mini-Mekë’, një pikë e jashtëzakonshme turistike për ta parë Tiranën në 360 gradë; për të parë të gjitha shtresat e qytetit, edhe pjesën e vjetër, edhe pjesën e periudhës së komunizmit, edhe pjesën ultra moderne të Tiranës, por edhe bashkëjetesën fetare me Xhaminë e Madhe, me Katedralen Katolike dhe Ortodokse, dhe për të kuptuar si ky qytet është i destinuar të rritet,”

 

Të pranishëm në inspektimet e fundit ishin dhe ministrja e kulturës, Elva Margariti, si dhe Kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Majkëll Granoff, i cili tha se kjo godinë do u shërbejë plot 4000 fëmijëve që përfitojnë nga projektet e përbashkëta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re