Gjykata e Tiranës ka vendosur të lejojë ekstradimin drejt Italisë të Gentian Manajt, i arrestuar dy muaj më parë, pasi dyshohet se është pjesë e një karteli shqiptar që trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika Latine drejt Evropës.

35-vjeçari Manaj i njohur edhe me emrin Myzafer, u arrestua në 15 Shtator në kryeqytet, në sajë të një operacioni ndërkombëtar droge të koduar Los Blancos. Ai u prangos pas një urdhri ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali, pasi gjykata e Firences kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë  “arrest me burg”.

Drejtësia italiane e akuzon Manaj për “organizatë kriminale” dhe “trafik ndërkombëtar droge”. Referuar vendimit të gjykatës, që gazetari i Fax News  Lisi Myrta disponon, përmes avokatit të tij mbrojtës, Manaj e ka kundërshtuar ekstradimin, duke pretenduar se ai nuk ishte identifikuar në lidhje me veprën penale.

Sipas avokatit, prokuroria ka paraqitur një profil kripto-telefonik me pseudonimin “Bahamas” por nuk e ka shpjeguar koincidencën me Gentianin. Manaj ishte një nga 5 të arrestuarit në Shqipëri nga operacioni “Los Blancos”, i koordinuar nga Europol, i cili shtrihej në Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Hollandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador.

Në sajë të këtij operacioni, pesë shqiptarë të tjerë u vunë në pranga në vende të ndryshme të Evropës, mes të cilëve edhe Eldi Dizdari, i cili u arrestua në Dubai. Dyshohet se Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet në një burg në Ekuador, është personi i cili ka luajtuar një rol te rëndësishëm në këtë organizatë kriminale. Sipas hetimit, karteli po importonte dërgesa të mëdha kokaine nga Amerika Latine, të financuara nga grupe kryesore të trafikantëve të drogës që vepronin në të gjithë Evropën.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re