Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është shprehur se pjesëmarrja në votime në rang kombëtar ka qenë 37.9 %.

Komentet Celibashi i bëri gjatë një deklarate për mediat, ku tha se që nga dita e nesërme, të gjithë ata që kanë pretendime për deformim të vullnetit të votuesve, të paraqesin kërkesat e tyre në KQZ.

Ai tha se në Kurbin dhe në 2 KZAZ të Durrësit ka ndërprerje të procesit të numërimit të votave, i cili pritet të rifillojë në vijim.

“37.9 % rezulton pjesëmarrja. Jemi duke ndjekur hap pas hapi situatën në Kurbin dhe në vlerësim të situatave do të marrim edhe vendimet përkatëse. Të gjitha llojet e vendimmarrjeve që mund të ketë KQZ me këtë situatë, është ende herët. Informacione të tjera veç asaj që unë raportova nuk kemi.

Shpresojmë të përfundojë procesi i numërimit sot dhe të bëhet tabulimi i rezultateve dhe nga dita e nesërme, çdo subjekt zgjedhor që ka pretendime mund të paraqesë ankesa në KQZ dhe KAS do të shqyrtojë ankesat. Në Kavajë nuk rezulton që të jetë ndërprerë procesi, vetëm në Kurbin dhe në 2 KZAZ të Durrësit”, u shpreh Celibashi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re