Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilët po marrin pjesë në procesin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Türkiye, kanë arritur të shpëtojë edhe dy persona nga rrënojat.

Siç njofton FSK-ja, rezultati erdhi “pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal”.

“Të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 50 vjeçar dhe pas 162 orëve është nxjerrë edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar”, thuhet në njoftimin e djeshëm të FSK-së.

Më tej bëhet e ditur se megjithëse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së “janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”.

Pjesëtarët e FSK-së arritën më 8 shkurt që të nxjerrin nga rrënojat në Hatay të Türkiye-s një fëmijë të moshës 2-vjeçare dhe nënën e saj.

Kontingjenti i parë i FSK-së i cili po kryen operacione të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti u nis për në Türkiye mbrëmjen e 6 shkurtit me autorizim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani si komandante supreme e FSK-së. Ndërsa, një ekip shtesë i FSK-së i përbërë prej oficerëve dhe nënoficerëve iu bashkuan atyre më 10 shkurt.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re