Tahir Shabani, Ambasador dhe Lider për Paqen Botërore, i ftuar në studion e ‘Panorama TV’, ka folur për çështje të ndryshme përfshirë situatën në Kosovë dhe diskutimet për votën e emigrantëve në Shqipëri.

Në lidhje me situatën në Kosovë, Shabani tha se lufta është një plagë që shërohet me drejtësi, ku nevojitet reflektimi nga Bashkimi Europian dhe lobim nga shqiptarët.

“Është një periudhë afatgjatë. Gjithë ato plagë nuk shërohen shpejt. Plagët duhet të shërohen me drejtësi. Kosova nuk ka qenë bombarduese, por në mbrojtje. Duhet të reflektohet nga bashkimi Europian, duhet të përkrahet nga qeveria shqiptare. Lobimi i shqiptarëve duhet të jetë i domosdoshëm”, tha ai.

Gjithashtu, në lidhje me aktivitetet që zhvillojnë, Shabani tha se duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm do të punojnë që në rendin e ditës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të futet çështja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj me të drejta të barabarta.

“Duke parë vazhdimësinë e aktiviteteve ndërkombëtare, nga pranvera 2024, do punojmë me grupet e miqësisë mes Europës, SHBA dhe Ballkanit Perëndimor, me qëllimin krijimin e mundësisë bashkëpunimit parlamentar përmes këtij bashkëpunimi. Të lobohet që në rend dite në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të futet çështja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj me të drejta të barabarta“, tha ambasadori dhe lideri për Paqen Botërore.

Sa i takon votës së emigrantëve, Shabani tha: “Është një rrugë që do lulëzojë dhe kam bindje pozitive që me kohën do realizohet. Qeveria shqiptare i ka votat në Kuvend, nuk është problem politik. Shpresoj të reflektojë dhe të jetë shembull për Kosovën”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re