Skip to content

Plagoset 55-vjeçari shqiptar në Greqi, autorët i zunë pritë para banesës dhe hapën zjarr

729b3b14 d89c 45ad 9147 f41bc3add50c

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në zonën e Patisias, në Athinë, ku një 55-vjeçar shqiptar është plagosur nga persona të panjohur.

Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, dy persona që lëviznin me motoçikletë iu afruan 55-vjeçarit teksa ai po dilte nga banesa dhe hapën zjarr ndaj tij. Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Ninou.

Pas sulmit, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa 55-vjeçari mbeti i plagosur në gjymtyrët e poshtme.

I plagosuri u dërgua me ambulancë të EKAB-it në spitalin “Gennimatas”. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë dhe ai nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat sekuestruan tre gëzhoja dhe një plumb, si pjesë e provave që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e dy personave që kryen sulmin, ndërsa po punohet edhe për zbardhjen e motivit.

Mes skenarëve që po shqyrtohen nga hetuesit është edhe ai i një larjeje hesapesh, i cili konsiderohet një nga pistat më të mundshme për momentin.