TIRANË- Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kamëz ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Elez Bodisha.

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës pas një pune intensive hetimore bën identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit Besnik Batusha, 47 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Nato” në Laknas, Kamëz ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Elez Bodisha, 50 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Bodisha ka marrë plagë në kofshë dhe në dorë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive hasmërie pasi vëllai i të plagosurit ka vrarë në 2014 dy vëllezërit e autorit.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re