Pas gati 24 orësh kërkimi policia ka vënë në pranga autorin e plagosjes së efektivit të “Shqiponjave”, Edlir Alleshi.
Në orët e mbrëmjes së kësaj të enjteje, policia ka njoftuar se në pranga është vënë Klered Bozhanaj, 42 vjeç.
Po ashtu, policia thotë se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit.
“Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor E. A., ju informojmë se:
Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar”, sqaron policia.
Arma me te cilin autori plagosi policin
Balla reagon pas arrestimit të autorit: Tolerancë zero
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të autorit të plagosjes së efektivit të policisë mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.
Balla deklaron se kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të shqiponjave mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Është momenti të kujtoj se kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.
Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal (me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019) dhe në ligjin për Policinë Shtetit”, deklaron Balla.
SI NDODHI NGJARJA
Mbrëmjen e së mërkurës (20 shtator) një efektiv i forcave “Shqiponja” u plagos me armë zjarri nga një 42-vjeçar, i cili ishte në ndjekje nga policia.
I plagosur mbeti Edlir Alleshi, i cili ishte në krye të detyrës kur gjatë ndjekjes së 42-vjeçarit, ky i fundit hapi zjarr duke lënë të plagosur policin.
Policia ofroi edhe 20 mijë euro shpërblim për këto që jep informacion të saktë për kapjen e autorit.
Efektivi i plagosur ndodhet në Spitalin e Traumës dhe aktualisht gjendja e tij paraqitet e stabilizuar.