Është zbardhur dëshmia e autorit Sebastian Muçmata i cili ditën e djeshme (19 shkurt) plagosi me armë zjarri Elvis Halilajn, kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj.
Në dëshminë e autorit deklarohet se konflikti ka ardhur për shkak të detyrës së vllait të tij, Zenel Muçmata, i cili mban postin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Publik në Bashkinë Kukës.
Ai është shprehur para OPGJ se nuk ka patur për qëllim të vrasë njeri, por kur është njoftuar se Qerim Halilaj (vëllai i Elvis Halilajt) i kishte kanosur me armë zjarri babain, kishte shkuar në vendngjarje dhe kishte qëlluar me pistolet në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Halilaj.
Ndërsa më tej pretendon se më herët atë ditë, Qerim e Elvis Halilaj i kishin dhunuar vëllain. Sipas tij konflikti ka filluar për shkak të detyrës së Zenel Muçmatës, i cili punon në Bashki në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Elvis Halilaj pretendon se ka ndikuar ose ka ndërhyrë drejtpërdrejtë për largimin nga puna të Elvis Halilajt.
Akuza:-I pandehuri Sebastian Muçmata akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake parashikuar nga nebet 76, 22, 278 dhe 25 të Kodit Penal. Çfarë keni për të thënë për këtë akuza dhe për këtë ngjarje?
Përgjigja Sebastian Muçmata: Me faktin dhe akuzën u njoha dhe për sa më pyesni dhe më akuzoni kam për të shtuar se: nuk kam shkuar për të vrarë njeri, por në momentin që kam shkuar aty Qerimi ( Halilaj, vëllai i të plagosurit) i ka drejtuar armën babait tim Izetit (Muçmata), në këto momente kam shkuar menjëher te makina dhe kam marrë një armë tip pistoletë që e kisha në bagazh dhe kam qëlluar në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Qerimi dhe Elvisi Halilaj, po të kisha qëllim për ti vra unë e kisha atë mundësi, por nuk kam pasur qëllim vrasjen e asnjë personi. Unë kur kam mësuar se pikërisht shtetasit Qerim e Elvis Halilaj kishin rrahur sot te agjencia e Bicajve vëllain tim Zenelin, i cili ka ngelur pa ndjenja i shtrirë në tokë. Ky konflikt ka filluar për shkak të detyrës së Zenel Muçmatës, i cili punon në Bashki në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Elvis Halilaj pretendon se ka ndikuar ose ka ndërhyrë drejtpërdrejtë për largimin nga puna të Elvis Halilajt.
