DURRES- “Ishte një sherr i çastit. Gjithçka nisi pas një debati me nënën time, se më kujtoi që isha i papunë”. Kështu mësohet të jetë shprehur para oficerëve të policisë, Hajri Neziri, i cili plagosi sot me thikë prindërit e tij, Destan Naziri 75 vjeç dhe Hasije Neziri, 64 vjeçe. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen 17 të qytetit të Durrësit. Pak pasi u vetëdorëzua në polici, bashkë me bashkëjetuesen e tij, 25-vjeçari ka arritur të flasë shumë pak para policisë. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se i riu ndodhet në gjendje shoku, ndërsa ka sqaruar se gjithçka ka qenë momentale.

“Ishte sherr i çastit të bëhej në familjen tonë, pasi unë jam i papunë. Nëna thoshte; “Gjeni një punë, kërkoni një punë të dy. Pastaj ndërhyri babai”, mësohet të jetë shprehur i riu. Ndërkohë, Haxhiaj ka arritur të sigurojë edhe dëshminë që ka dhënë babai i autorit, teksa qëndron i shtruar në spitalin e Durrësit. Edhe 75-vjeçari ka mbajtur po të njëjtin qëndrim si djali, duke u shprehur se ngjarja ka ndodhur pas një debati të çastit.

“Sherr i çastit ishte. Nuk kemi pasur sherr në familje. Edhe këtë radhë nisi kur ishim të katërt në shtëpi. Po kërkonim që fëmijët të gjenin një punë (djali me bashkëjetuesen e tij). Se s’mund t’i mbanim ne me pension”, është shprehur babai i 25-vjeçarit.

Ndërkohë, burime nga spitali i Durrësit bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se 64-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi ka marrë 6 plagë të mëdha në bark për shkak të goditjeve nga thika, ndërsa nuk ka mundur të flasë asgjë rreth ngjarjes pasi është në oksigjen. Sakaq, gjendja e të moshuarit paraqitet e stabilizuar, pasi ai ka marrë një plagë në fyt. Mësohet se autori i krimit është fëmija i vogël i fëmijës Neziri, ndërsa fëmijët e tjerë ndodhen në emigrim në Itali dhe janë njoftuar për ngjarjen e rëndë.

Si ndodhi ngjarjaNgjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:00 në lagjen 17 në qytetin e Durrësit. Në familjen Neziri, në një banesë 3-katëshe ndodheshin dy prindërit e moshuar bashkë me djalin dhe bashkëjetuesen e tij. Gjatë një sherri për motive të dobëta, dyshohet se djali ka qëlluar nënë e tij disa herë me thikë. Teksa ka parë se çka bërë i biri, 75-vjeçari Destan Neziri ka ndërhyrë për të ndalur 25-vjeçarin, por ka mbetur edhe vet i plagosur, në fyt. Ndërkohë, mësohet se i lënduar në duar ka mbetur edhe i riu, gjatë përleshjes me prindërit.(ed.me/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re