Skip to content

Plagosi rëndë policin që ndërhyri për të shuar sherrin, arrestohet 60-vjeçari në Himarë

Është arrestuar 60-vjeçari i cili plagosi një polic 28-vjeçar, mbrëmjen e djeshme në fshatin Pilur të Himarës.

Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, 60-vjeçari Thodhor Mërkuri i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak të fshatit Pilur, u kap dhe u vu në pranga për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 23:00, ku disa shtetas po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin dhe në momentin që po ndodhte konflikti, polici Redin Çaushaj, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin, ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, 60-vjeçari nga fshati Pilur e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i policisë është në gjendje kritike për jetën.

Thodhor Mërkuri pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira.