Është gjetur nga policia e Tiranës pistoleta e tipit stilolaps që ka përdorur 21-vjeçari Aldo Neziri gjatë konfliktit me një 15-vjeçar në picerinë ku ai punonte, të cilin e plagosi në shpatull.

Sipas policisë, arma e përdorur nga i riu është gjetur në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 01.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Riza Çuka” Laprakë, kanë gjetur dhe sekuestruar armën atipike me të cilën shtetasi A. N, 21 vjeç, dyshohet se plagosi 15-vjeçarin”, njofton policia.

Kujtojmë se 21-vjeçarit Aldo Neziri u arrestua sot, i akuzuar për plagosje të rëndë me dashje si dhe për armëmbajtje pa leje.

I mituri që mbeti i plagosur vijon të marrë trajtim mjekësor në spitalin e Traumës edhe pse ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Si ndodhi ngjarja?

15-vjeçari punonte si kamarier në pizerinë në Ali Dem dhe pati një konflikt të momentit me motoristin Aldo Neziri.

Ky i fundit kishte me vete një pistoletë stilolaps me të cilën plagosi kamarierin e mitur. Ndërkohë vijon të jetë në kërkim administratori i pizerisë, ndërsa 3 punonjës të kësaj pizerie janë arrestuar ditën e djeshme nga policia.

Sipas njoftimit, ata kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri.

Njoftimi i Policisë

Plagosi me armë atipike, për motive të dobëta 15-vjeçarin në një piceri te “Ali Demi” si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar edhe në inteligjencën policore, kapet dhe vihet në pranga nga Policia.

Dje u arrestuan edhe 3 punonjës të picerisë, pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Vijon puna për kapjen e administratorit të picerisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në inteligjencën policore, kapën dhe ndaluan shtetasin A. N., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i tij u bë pasi, më datë 01.06.2025, në një piceri te “Ali Demi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, plagosi me armë atipike një 15-vjeçar.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të 21-vjeçarit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko