Policia e Tiranës ka arrestuar 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, nipi i Vladimir Gjutës, pas ngjarjes së ndodhur në hotelin e familjes së tyre ku në 18-vjeçare u plagos me armë zjarri.

18-vjeçarja ishte e dashura e Erisjaldo Gjutës dhe ngjarja e ndodhur ka shumë hije dyshimi nëse ajo është vetë-plagosur apo nëse e ka plagosur dikush tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin E. Gj., 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, thuhet në njoftimin e Policisë

18-vjeçarja u plagos me armë zjarri në hotel Gjuta në zonën e Saukut në Tiranë, në dhomën e hotelit në pronësi të familjes së të dashurit të saj, nipi i Vladimir Gjutës, një personazhi me precedentë kriminalë, ish i dënuar.

Ngjarja është e mbushur me mister, pasi dinamika dhe motivet e ngjarjes janë ende të paqarta.

Policia zyrtarisht njoftoi se 18-vjeçarja ishte dërguar në spitalin e Traumës rreth orës 00:15 të 14 shkurtit.

Vajza rezulton e plagosur me armë zjarri në gjoks dhe tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pasi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Sipas të njëjtave burime, ajo ka marrë një plumb në zonën e kraharorit, tejshpues.

Aktualisht po mbahet në observim dhe është nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

18-vjeçarja është dërguar në spital nga nëna e 22-vjeçarit Mirvete Gjuta, tashmë e arrestuar, dhe nga kushëriri i Erisjaldos, Elvir Gjuta 24 vjeç.

Se cili është roli i vërtetë i tyre në gjithë këtë ngjarje, pritet të zbulohet nga hetimet e mëtejshme, por në deklaratën paraprake të policisë thuhet se dyshohet se ata kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Madje kanë fshehur edhe armën me të cilën u shkaktua plaga në gjoksin e 18-vjeçares, pasi grupi hetimor nuk e ka gjetur atë në dhomën e hotelit ku ishte e reja.

Dy shoqëruesit e 18-vjeçares e cila është me origjinë nga fshati Shtiqën i Kukësit, kishin thënë në spital se vajzën nuk e njohin, por e gjetën të shtrirë te rreth-rrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re