Skip to content

Plagosja në Poliklinikën në Shkodër, reagon KMD: Dhuna në ambiente publike po cenon sigurinë e qytetarëve dhe besimin tek institucionet

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka reaguar pas plagosjes së një dite më parë në poliklinikën në Shkodër, duke shprehur shqetësimin se dhuna në ambiente publike cenon jo vetëm viktimën, por edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin tek institucionet.

KMD bën thirrje që ngjarja të trajtohet me seriozitet të plotë nga organet kompetente, ndërsa thekson se dhuna nuk është zgjidhje.

Reagimi i KMD:

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësim të thellë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një person mbeti i plagosur si pasojë e një akti të rëndë dhune.

Komisioneri dënon me forcë çdo formë dhune dhe thekson se siguria, jeta dhe dinjiteti i çdo individi janë vlera themelore që duhet të mbrohen në çdo rrethanë. Ushtrimi i dhunës në ambiente publike cenon jo vetëm viktimën, por edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin tek institucionet.

Komisioneri vlerëson se çdo akt dhune duhet të trajtohet me seriozitet të plotë nga organet kompetente, nëpërmjet një hetimi të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Njëkohësisht, Komisioneri u bën thirrje qytetarëve, institucioneve dhe komunitetit të promovojnë dialogun, respektin reciprok dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke refuzuar çdo formë dhune dhe sjelljeje që cenon dinjitetin njerëzor. Dhuna nuk është zgjidhje. Ndërtimi i një shoqërie të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në respektin për dinjitetin e njeriut është përgjegjësi e përbashkët.