Një person ka mbetur i plagosur këtë mëngjes në Tiranë pas një sherri mes disa personave që përdorën sende të forta gjatë konfliktit.

Policia ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar, ndërsa është shpallur në kërkim një djalë i ri.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 6, pas njoftimit të marrë për një konflikt të çastit në “Misto Mame”, ku dy shtetas, për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë konfliktit kanë goditur me mjete të mprehta shtetasin M. S., duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Pas një pune të mirëorganizuar është bërë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit:

T. SH., 51 vjeç, banues në Tiranë.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit I. Sh., 20 vjeç”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re