Mirëqenie – Popullsi . A ndikon mënyra si jeton dhe puna që bën në mënyrën si plakesh? Një studim i ri në katër popullata të ndryshme përmbys atë që kishim si të mirëqenë për plakjen dhe inflamacionin kronik.
Për shumë vite, shkenca ka mbështetur idenë se me kalimin e moshës, inflamacioni rritet në mënyrë të pashmangshme. Ky inflamacion është i lidhur me sëmundje si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe të tjera gjendje kronike. Por një studim i ri tregon se inflamacioni nuk është domosdoshmërisht një pjesë e natyrshme e plakjes – ndoshta është një produkt i mënyrës moderne të jetesës.
Inflamacioni si tregues i moshës – apo simptomë e kulturës?
Autorët e studimit janë Samuel J. White dhe Philippe B. Wilson nga York St John University, në një artikull të botuar në The Conversation. Ata studiuan të dhëna nga katër grupe popullatash: dy nga shoqëri moderne dhe industriale, dhe dy nga grupe që jetojnë në mënyrë tradicionale – Tsimane nga Bolivia dhe Orang Asli nga Malajzia – të cilët jetojnë më pranë natyrës.
Në vend që të shfaqnin nivele të larta të proteinës C-reaktive (një tregues i inflamacionit), siç ndodh zakonisht në popullsitë e vendeve të zhvilluara, këta grupe tradicionale nuk treguan të njëjtin rritje të inflamacionit me kalimin e moshës. Rezultatet konfirmuan atë që pritej vetëm për shoqëritë industriale: sa më shumë të rritej mosha, aq më shumë rriteshin edhe treguesit e inflamacionit, të cilët lidhen drejtpërdrejt me sëmundje kronike, përfshirë ato të veshkave dhe zemrës. Por te popullsitë tradicionale, kjo prirje nuk u vërejt.
