Forcimi i kontrolleve kufitare në rrugën e emigrantëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendosja e anëtarëve të Frontex në kufijtë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një nga elementët e planit të veprimit për të reduktuar presionin e emigrantëve ndaj BE-së të paraqitur nga Komisioni të hënën.

Komisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, e cila së bashku me nënkryetarin e Komisionit, Margaritis Schinas prezantoi planin e veprimit për Ballkanin Perëndimor, njoftoi se Komisioni do të negociojë me partnerët e Ballkanit Perëndimor për mandatin e ri të Frontex për rojen kufitare dhe bregdetare evropiane, e cila do të mundësojë vendosjen e anëtarëve dhe agjencive në kufijtë midis vendeve individuale të Ballkanit Perëndimor.

Aktualisht, rreth 500 anëtarë të Frontex janë të vendosur, por vetëm në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Me mandatin e ri do të mundësohet dislokimi i anëtarëve të Frontex në kufijtë ndërmjet vendeve të veçanta të Ballkanit Perëndimor. I takon Frontex-it të vendosë së bashku me partnerët e tij se sa anëtarë të agjencisë do të dislokohen, por më duhet të them se do të kemi aq sa duhet sepse vendet anëtare të BE-së e mbështesin fuqishëm Frontex-in në këtë”, tha Johansson.

Një ditë përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Komisioni njoftoi një sërë masash për të adresuar presionin e emigrantëve ndaj BE-së përmes Ballkanit Perëndimor.

Janë parashikuar 20 masa operacionale

Sipas të dhënave të Frontex, gjatë 10 muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 281 mijë hyrje të paregjistruara në BE përmes Ballkanit Perëndimor, që është një rritje prej 77 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Plani i veprimit përbëhet nga pesë pika: forcimi i menaxhimit të kufirit përgjatë rrugës së migrimit; forcimi i kapaciteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e procedurës së azilit dhe fuqizimin e qendrave të pritjes në ato vende, luftën kundër kontrabandistëve; forcimi i bashkëpunimit për ripranimin dhe kthimin e migrantëve dhe harmonizimi i politikave të vizave të vendeve të rajonit me politikën e vizave të BE-së. Në këto pesë pika janë paraparë gjithsej 20 masa operative.

 “Kemi të bëjmë me rritjen e numrit të ardhjeve të emigrantëve përmes rrugës migratore të Ballkanit Perëndimor me një plan të veçantë veprimi. Po flasim për 20 masa konkrete dhe urgjente që mund t’i zbatojmë. Qëllimi ynë është të zvogëlojmë numrin e të ardhurve përmes veprimeve të koordinuara”, tha nënkryetari i Komisionit, Margaritis Schinas.

Komisioni thekson se harmonizimi i politikave të vizave është vendimtar për mirëfunksionimin e regjimit pa viza ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Një numër i madh i emigrantëve vijnë në Ballkanin Perëndimor me avion, kryesisht në Serbi, e cila u ka ofruar vendeve të caktuara një regjim pa viza në këmbim të mosnjohjes së Kosovës.