Dy liderat e BE, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel pritet të dalin me një plan të përbashkët të vendeve të tyre, për rimëkëmbjen e BE-së nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

“Plani ka të bëjë me fushat e shëndetësisë, rimëkëmbjen ekonomike, tranzicionin mjedisor dhe dixhital dhe sovranitetin industrial”, tha presidenca franceze përmes një deklarate.

Ende nuk dihet detaje tjera të këtij plani, por ato pritet të shpalosen gjatë një konference të përbashkët për media, të cilën Macron dhe Merkel, do ta mbajnë më 18 maj.

Evropa sapo ka filluar të dalë nga masat e izolimit të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Masat që u vendosën në mars e kanë ndaluar përhapjen e virusit, por edhe kanë shkaktuar dëme ekonomike për vendet e BE-së.Gjermania, si ekonomia më e madhe e BE-së, tashmë ka hyrë në recesion.

Blloku evropian është zotuar të ndajë 500 miliardë euro fonde emergjente për të përballuar krizën.

Ekonomia e eurozonës në përgjithësi parashikohet të tkurret në 7.7 për qind këtë vit, por dëmi mund të jetë më i keq në Itali dhe Greqi. Ekonomitë e këtyre vendeve mund të tkurren me gati 10 për qind, raporton AFP.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re