Skip to content

Plani i paqes në Gaza: Starmer thërret mbledhjen urgjente të kabinetit nën presion për të njohur Palestinën

starmer

Ai do të paraqesë një plan paqeje për Gazën, si dhe nisma për ndihmë humanitare, pas paralajmërimeve për urinë në rajon.

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të përshkruajë një plan paqeje për Gazën dhe ndihmë humanitare gjatë një takimi urgjent të kabinetit këtë të martë, pas paralajmërimeve për zi buke në rajon. Plani, tha Downing Street, iu prezantua Donald Trump të hënën gjatë takimit të tyre në Skoci.

Ky veprim vjen ndërsa presioni mbi Kryeministrin Britanik po rritet, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe brenda vendit, për të njohur menjëherë një shtet palestinez. Me Dhomën e Komunave që është tashmë në pushimet verore, Starmer ka vendosur ta kthejë qeverinë e tij në Westminster, duke u përqendruar kryesisht në mbështetjen e civilëve në Gaza dhe në kërkimin e një armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit.

Një zëdhënës i kryeministrit tha se propozimet do t’u paraqiten aleatëve të tjerë, përfshirë shtetet arabe, në ditët në vijim.

Gjatë takimit të tij me Trump, Starmer thuhet se e ka lidhur iniciativën e tij me idenë e një “koalicioni ndërkombëtar të vullnetshëm”, të ngjashëm me atë të propozuar për të mbështetur një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.

Raportohet se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli tërhoqën ekipet e tyre negociuese nga Katari të enjten, me Trump që akuzoi Hamasin se “nuk dëshironte vërtet një marrëveshje” dhe Izraelin që deklaroi se do të kërkonte “zgjidhje alternative” për lirimin e pengjeve.

Të hënën, një zëdhënës i Downing Street tha se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania po punonin së bashku në një plan që do të ofronte “lehtësim të menjëhershëm për ata që preken”. Ky plan, sipas të njëjtit burim, mbështetet në bashkëpunimin e deritanishëm të tre vendeve dhe do të skicojë “një rrugë të qartë drejt paqes dhe një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete”.

Megjithatë, siç deklaroi Trump, përparësia e tij mbetet ofrimi i ndihmës humanitare dhe ushqyerja e fëmijëve të Gazës. “Para se të kalojmë në fazën e dytë, e cila është faza tjetër, duam t’i ushqejmë së pari fëmijët”, u tha ai gazetarëve pas takimit me Starmer.

Përshtati në Shqip S