VALENTINA MADANI/ Fondi 6 miliardë euro që Brukseli i ka akorduar Ballkanit Perëndimor si pjesë e “Planit të Rritjes” nga dje është realitet.

Këshilli i BE-së miratoi një plan prej gjashtë miliardë eurosh për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të përshpejtimit të reformave dhe rritjes ekonomike, nga të cilat dy miliardë në grante dhe katër në kredi të favorshme të garantuara nga BE. Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor nga njëra anë, komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi si dhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brian u ulën në Kotor të Malit të Zi për të folur për mënyrën sesi do të menaxhohet ky plan, i cili do të shpërndahet vetëm mbi bazën e meritës.

Të 6 vendet kanë prezantuar axhendën e tyre të reformave mbi bazën e të cilave do të bëhet vlerësimi për periudhën 2024-2027 dhe do të shpërndahen paratë. Kryeministri Rama shprehet se Shqipëria është gati, por kërkon edhe asistencë nga BE.

“Së pari, na duhet të punojmë mbi mundësinë e planit të rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët, që është shtylla e parë e planit. Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne i kemi përfshirë si objektiva në planin tonë të reformave e synojmë të jemi gati në 2027. Presim që Komisioni të finalizojë Udhërrëfyesin që të kemi një shteg të qartë përcaktuar përpara, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane”, – tha Rama.

Gjithmonë i pakënaqur kur vjen fjala te mbështetja financiare, kryeministri shprehu disa kërkesa për Brukselin që nga përfshirja në portofolin dixhital të BE apo që kjo e fundit të bëhet garante për marrjen e huave nga institucionet financiare europiane.

“Në kuadrin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve kemi 90% hua dhe vetëm 10% grante. Kështu që është bota e anasjellë, e përmbysur në raport me Bashkimin Europian që kanë vetëm 10% hua dhe 90% grante. E kuptojmë, po dhe nuk e diskutojmë, por do të ishte fantastike sikur me ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve ne të mund të nxisim e të bindim BE-në që të garantojë për huat tona. Kjo do të ndryshonte çdo gjë dhe më lejoni të jem shumë i drejtpërdrejtë me ju”.

Veç asaj që kërkon nga Brukseli, Rama mendon që dhe vetë vendet e rajonit duhet të tregojnë seriozitet duke lënë mënjanë bllokimet dhe çështjet politike dhe ato dypalëshe.

“Është e pakuptimtë dhe siç e kam thënë qysh prej ditës së parë, duhet ta lëmë politikën dhe çështjet dypalëshe dhe çfarëdolloj që ekziston mes nesh jashtë kësaj hapësire sepse sido që të jetë, në qoftë se bëjmë gjithçka në mënyrën dhe stilin europian brenda kësaj hapësire, kjo do të lehtësojë dhe paqësojë edhe atmosferën për të gjithë në mënyrë që të merren me çështjet dypalëshe”.

Të 6 liderët e ulur në tryezën e Kotorrit, tre prej të cilëve shqiptarët Edi Rama, Albin Kurti dhe Talat Xhaferi mirëpresin Planin e Rritjes si një mundësi për t’u integruar më shpejt në tregun e përbashkët, por edhe vetë procesin e integrimit. Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, duke përshëndetur pjesëmarrësit tha se në kontekstin e sfidave në aspektin ekonomik, Mali i Zi është i përkushtuar për zhvillimin infrastrukturor në përputhje me planin deri në vitin 2030.

“Duke hapur horizonte të reja, jam i sigurt se do t’i afrohemi tregut të Bashkimit Evropian. Investimi në burimet njerëzore dhe ruajtja e tyre, do të ndihmojë në arritjen e qëllimeve objektive të përshkruara në Planin e Rritjes”, – tha Spajiq. Nuk ka më justifikime që Ballkani Perëndimor të mos jetë gati për anëtarësim në BE, tha komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi.

“Nuk është vetëm një plan për integrimin e rajonit në BE, por se ai po zhvillohet vetvetiu. Duhet të përfitoni nga mundësia që ju jep anëtarësimi në BE dhe jo vetëm anëtarësimi, por edhe periudha para anëtarësimit. Mendoj se kjo kornizë ndihme për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi pragmatike. Rajoni ka humbur shumë mundësi, nuk ka kohë më të mirë se tani për të filluar punën seriozisht në rrugën drejt standardit evropian”, – tha Varhelyi. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij përsëriti që Serbia ta njohë Kosovën dhe ta dorëzojë terroristin Milan Radojçiç, i cili sipas tij, ishte i përfshirë në sulmin e Banjskës më 24 shtator.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë janë të domosdoshme. Kërkojmë nga Serbia që ta dorëzoj Milan Radojçiçin në Kosovë dhe gjithashtu grupin e tij paramilitar që e ka vrarë rreshterin tonë Afrim Bunjakun më 24 shtator”, – tha Kurti

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re