Skip to content

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor/ BE disburson 100 milionë euro për Shqipërinë

Bashkimi Evropian ka disbursuar 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pasi vendi ka përmbushur me sukses 51% të masave të reformës të planifikuara për periudhën dhjetor 2024 – qershor 2025. Ky financim e rendit Shqipërinë si vendin me performancën më të mirë në rajon për këtë fazë.

Fondet përfshijnë 46.2 milionë euro si hua direkte për Thesarin e Shtetit dhe 54.1 milionë euro për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Komisioni Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në fusha kyçe si energjia, dixhitalizimi, konkurrueshmëria dhe integrimi ekonomik. Ky është një hap konkret drejt afrimit me tregun e vetëm evropian, ndërsa përfitime të tjera për qytetarët – si eliminimi i tarifave të roaming-ut me BE-në dhe instalimi i Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë – janë në proces.

Instrumenti për Reforma dhe Rritje funksionon në cikle gjashtëmujore, me disbursimin e ardhshëm të parashikuar për pranverën e vitit 2026.