Një hetim i publikuar nga llogaria në Twitter e Tajamaat, një platformë bashkëpunuese për afrikano-veriorët që merret me çështjen e islamofobisë, zbuloi grupe të ekstremit të djathtë në Telegram, misioni i të cilëve është të nxisin të huajt dhe figurat e shquara që kundërshtojnë islamofobinë dhe racizmin në Francë.

Hetimi, i publikuar nga Tajamaat në faqen e tij në Twitter, tërhoqi vëmendjen ndaj informacioneve tronditëse për më shumë se 20 grupe të ekstremit të djathtë, përfshirë grupin mëmë të quajtur “Fr Deter” dhe degë të tjera.

Në mesin e anëtarëve të të gjitha këtyre grupeve ka aktivistë dhe anëtarë të forcave policore që kontribuojnë në nxitjen kundër arabëve dhe muslimanëve, si dhe në përpjekjet për t’i bërë ata shënjestër të sulmeve.

Hetimi zbuloi mesazhet zanore të themeluesit të grupit, i cili thekson se armiqtë tani janë arabët, muslimanët dhe njerëzit me lëkurë të errët dhe propozon të krijohen grupe në terren që do të sulmonin këta njerëz në rrugë.

Gjithnjë e më shumë policë dhe “të sëmurë” të armatosur

Grupi përpiloi një listë master me emrat e përfaqësuesve, aktivistëve të majtë dhe avokatëve që janë objektiv i veprimeve të drejtpërdrejta të dhunshme.

Mes emrave është edhe Louis Boyard, përfaqësues i partisë La France insoumise (LFI), i cili u cilësua si “kancer”, duke u publikuar edhe numri i tij i telefonit.

Gjithashtu u përmend edhe kolegu i tij i partisë Daniele Obono, i cili u cilësua si “majmun”.

Lista përfshin edhe emrat e një numri aktivistësh si objektiva për likuidim apo sulm, si Elias Imzalen, i cili lufton kundër islamofobisë, pastaj gazetari me origjinë algjeriane Taha Bouhafs, avokati Nabil Boudi dhe aktivistja me origjinë marokene Sihama Assbagua.

Gjithashtu renditen informacione si adresa e banimit, numri i telefonit, posta elektronike dhe të dhëna të tjera personale.

Aktivisti dhe gazetari Taha Bouhafs tha se kërcënimet janë bërë më serioze se më parë, sidomos nëse merret parasysh rritja e numrit të policëve dhe “të sëmurëve” të armatosur në radhët e këtyre grupeve.

Në të njëjtin kontekst ai shtron pyetjen: “Pse autoritetet nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje?”.

“Kam zbuluar se jam shënuar si objektiv për t’u vrarë nga një grup terrorist islamofobik. Nëse më ndodh diçka e keqe, shteti francez është përgjegjës për të”, ka shkruar Imzalene në Twitter.

Filmi investigativ i Al Jazeera-s “Brezi i urrejtjes”

“Në vend që të sulmoni opozitën, duhet të përpiqeni të mbroni qytetarët tanë që po kërcënohen me vdekje nga grupi ‘Fr Deter Gate’”, shkruan Antoine Leaument, përfaqësues i partisë LFI, në një mesazh drejtuar ministrit të Brendshëm Gerard Darmanin.

Kjo nuk është hera e parë që ekspozohen grupe dhe llogari në rrjetet sociale, detyra e të cilave është nxitja kundër arabëve dhe muslimanëve në Francë.

Ekziston gjithashtu shqetësim për rritjen e dhunës së ekstremit të djathtë.

Në vitin 2018, Al Jazeera publikoi një film investigativ të quajtur “Brezi i Urrejtjes”, në të cilin dokumenton, përmes audiove dhe videove, deklarata tronditëse të njerëzve të lidhur me ekstremin e djathtë francez, në të cilin ata nxisin vrasje dhe sulme ndaj muslimanëve.

Këta njerëz e deklarojnë veten si anëtarë të grupit të Identity Generation (GI), i cili është me mendje naziste.

Filmi i Al Jazeera-s dokumenton skena të dhunshme dhe tronditëse dhe deklarata raciste nga anëtarët e grupit ekstremist, të cilët kryen një përshëndetje naziste përpara se të rrihnin rëndë një vajzë marokene në qytetin e Lille.

Filmi përmban edhe deklarata raciste të një anëtari të Identity Generation, ndërsa nxiti për të vrarë dhe sulmuar muslimanët, kur ai tha: “Nëse një ditë vuaj nga një sëmundje kronike nga e cila nuk ka shërim, do të blej p.sh. një armë dhe të bëjë një masakër në xhami.”

Të njohur për urrejtjen e tyre ndaj Islamit dhe muslimanëve

Në vitin 2011, Generation Identity pushtoi një xhami që ishte në ndërtim e sipër në qytetin e Poitiers, në perëndim të vendit.

Me atë rast, anëtarët e grupit ngritën një flamur duke përkujtuar disfatën që pësuan muslimanët nga ushtria franke në Francën jugore nën udhëheqjen e Charles Martel në 732.

Këshilli Francez për Fenë Islame më pas u bëri thirrje autoriteteve që të shpërndanin këtë lëvizje ekstremiste, por qeveria u mjaftua duke i paditur ata në gjykatë për slogane raciste.

Në radhët e partisë së ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen, ka edhe individë që i përkasin lëvizjes Identity Generation.

Ata janë të njohur për urrejtjen e tyre ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe besojnë se Franca është e ekspozuar ndaj një “pushtimi islamik”, siç e quajnë ata.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re